Një inxhinier që nuk pranoi ta dëgjonte “Këngën e Sirenave”…

Përgjatë rrugëtimit të tij Odisea do të ndalonte për të qëndruar disa kohë në Ishullin e Sirenave, ai kishte dëgjuar se nëse njeriu arrinte ta përballonte tundimin e këngës së sirenave ai bëhej më i mençur.

Një mëngjes, ekuipazhi u kthye në brigjet e ishullit me anijen e tij madhështore, dhe në atë moment sirenat, që kishin koka të shëmtuara dhe trup-peshku ia dhanë këngës së tyre, ndërkaq, njëri prej kapitenëve, i hipnotizuar prej tingujve të sirenave, u rrëzua nga anija duke u bërë ushqim për to.

Rrëfenja thotë se edhe vetë Odisea u tundua shumë, por në fund u detyrua të largohej prej ishullit bashkë me ata pak burra që mbetën prej ekuipazhit.

Kështu pra, i/e dashur lexues/e, Kënga e Sirenave në ditët tona të postmodernizimit nuk është tjetër veçse moria e pafundme e tingujve të notifications që na bombardojnë papushim gjithë ditën, e thirrjeve, e tingujve të whatsapp, viber, telegram, skype, signal, lista vazhon gjatë…

Janë këto tinguj fillimisht ëmbëlsues për veshin, por që më pas bëhen hajdutët e vërtetë të vëmendjes sonë.

Sot është pothuajse e pamundur ta ndërtosh ditën me një axhendë tënden, sepse sapo hap sytë në mëngjes dora zgjatet vetë tek koka e shtratit për të kapur smartfonin, kështu një email i para 15 minutave të fton në një event, pastaj një tjetër email, pastaj pop-ups, push notifications, të cilat, në pak sekonda bëhen pronare të vëmendjes tënde, e për rrjedhojë edhe të axhendës tënde të asaj dite.

Kështu çdo ditë, e njëjta gjë, shih e shkruaj, kjo kënga hipnotizuese e sirenave moderne na bën të mos kemi një axhendë tonën, por të biem butësisht në axhendën e dikujt tjetër.

Tani imagjinoni çfarë tundimi të pret, çfarë vetëmohimi, e çfarë vetpërmbajtjeje duhet të ketë njeriu që në vitin 2019 të ulet e të shkruajë një libër?

E këtu nuk po themi libër për hobin apo qejfin e tij, por një libër për Gjenealogjinë e Fiseve të Kallmetit e më gjërë.

Pra është një libër i cili shkruhet vetëm duke lexuar e shfletuar qindra të tjerë, ndryshe s’e shkruan dot, pra është një libër i librave.

Ing. Evaristo COLI është emri i autorit të librit, i cili e kupton më mirë se kushdo tjetër Odisenë, është emri i një personi i cili e ka kuptuar se brezi i ri nuk interesohet më për të ndjekur fillin gjenealogjik të fisit, as të vendeve ku ka jetuar gjyshi, as stërgjyshi, ruajna Zot për më gjatë.

Duke qënë edhe vetë ai, Evaristo, bir i Kallmetit, toka e cila e ka dheun të hershëm që në historinë e lashtësisë, siç duket ai e ka “nuhatur” se dita kur njerëzit të humbasin kujtesën kolektive të origjinës së tyre nuk është e largët, tamam ashtu siç mjeku me intuitë e kupton se pacienti ka filluar të ketë probleme me kujtesën, në të njëjtën mënyrë edhe Evaristo i ka kapur shenjat e sklerozës kolektive në ardhje, ndaj edhe shkroi, shkroi për të shpëtuar aq sa mundej, aq sa dinte, aq sa gjeti për rrënjët e tij e të zonës aty.

Evaristo e di fort mirë, se libri i tij është një dokument i madh, i cili do t’u shërbejë hulumtuesve, jo atyre të sotmëve, aq sa atyre të dekadave pasuese.

Ndoshta lexuesi i sotëm, është tepër i habitur me këngën e sirenave, dhe nuk ka kohën e as terezinë që të lexojë libër, dhe është i mirkuptuar në këtë pikë, por puna e Evaristos ka shumë gjasa që për një mbrapshti të historisë apo pleksje të çuditshme të gjërave, pas shumë dekadave të bëhet Graali i Shenjtë i studiuesve seriozë të disa punëve jo pak të thella.

Evaristo perveçse një intelektual i heshtur, besimtar i madh, është edhe një inxhinier i shkëlqyer, është i zoti i punëve të vështira e të rëndësishme, është një vlerë e madhe për burimet njerëzore të Bashkisë së Lezhës, është krenaria e familjes së tij, dhe nderi i gjithë qytetit.