Muzeu Etnografik, dhe pushtimi i Librarisë së Lezhës nga francezët…

Ishte një nga ato momente që vetëm rastësia mund t’i kurdisë, ndërsa po kërkonim një material studimor në raftet e librarisë ‘Kuvendi’ në Lezhë, befas, si pa e kuptuar, e gjithë hapësira u pushtua nga një dallgë turistësh francezë me çanta të rënda ngarkuar në shpinë, me harta në duar dhe plot kureshti në çehre.

Tamam sikur të ishin në shtëpinë e tyre ata filluan t’i skanonin me sy të gjithë librat, rrotulloheshin sa andej këndej derisa njëri prej tyre, i cili e kishte kokën pa asnjë qime floku, mbante syze leximi me xhama pa skelet, që ia bënin shikimin edhe më zhbirilues, me një franglishte të çuditshme pyeti nëse kishte ndonjë guidë të qytetit, dhe përgjigjen e mori direkt nga pezmi në fytyrën e librashitësit, pa qënë nevoja që ai të fliste.

Meqë ajo që kërkonin nuk ishte, guida pra, ata, si për inerci, siç ndodh gjithmonë kur e viziton një librari për herë të parë, filluan të vinin rrotull rafteve deri sa e gjetën Graalin e tyre të Shenjtë.

Nuk u bezdis aspak zotëria nga pluhuri që e kish mbuluar kopertinën e librit që pikasi, dhe sapo e mbështeti librin në banakun e librarisë, i gjithë grupi u mblodhën rreth kokës së tij.

Kuptohej qartazi tashmë se kurioziteti i tyre ishte në kulm.

Libri titullohej, ‘Le folklore et l’ethnographie des Albanais’, dhe ky grup turistësh ishin të gjithë staf akademik profesorësh, lektorësh e doktorësh që jepnin mësim mbi etnografinë në Universitetin e Bordosë.

Marrë nga punimi “Qarku Lezhë, Gurmë dhe Horizonte”
Marrë nga punimi “Qarku Lezhë, Gurmë dhe Horizonte”

Për fatin e tyre të mirë, ata libra të harruar në librarinë e një qyteti të vogël në veriun e Shqipërisë ishin të shkruar në dy gjuhë, ky fakt e shtoi edhe më shumë mrekullimin e tyre, ndërsa lexohej qartë shkëndijimi në sytë e tyre teksa i shfletonin faqet e tij dhe shihnin stolat e drurit, karriget e nuses, djepat, vozën e rakisë, shtamat, dhe enët e kuzhinës.

Profesorit filluan t’i dridheshin gishtat dhe djersitja në krahun e tij sa vinte e shtohej… ai urdhëroi pjesën tjetër të staffit të kërkonin qoshe për qoshe, dhe kudo, në çdo kënd apo skutë të kësaj librarie për volume të tjera të këtij libri.

‘Mos u lodhni fare’, u tha librashitësi, ‘ja ku i keni atje në cep te rafti në errësirë, pak ditë mëparë i kisha mbledhur për t’i hedhur’!

Libraria e Lezhës, në ato momente, ishte e gjitha e pushtuar nga francezët, dhe ata morën gjithçka gjetën për etnokulturën, dhe dolën të qeshur e të lumtur, e me shumë gjasë kishin harruar edhe arsyen që i futi në atë librari.

Tashti imagjino sikur, po atë ditë, këta studiues, profesorë e turistë të kishin patur mundësinë të vizitonin edhe Muzeun Etnografik të Lezhës?

Ekzistenca e një Muzeu Etnografik në Lezhë jo vetëm që ka funksionin e dëshmimit të pasurisë me histori, të faktit se ky qytet është i hershëm dhe i pazbuluar akoma siç duhet, por shërben edhe si një atraksion turistik, si një pikë më shumë, për të shkuar e për ta vizituar, një pasurim në itinerarinë e çdo udhëtari që vjen në Lezhë.

Shteti i cili e ka përdorur me shumë zgjuarsi arsenalin etnokulturor të tokave të Dalmacisë është Kroacia, në këtë vend jo më kot gjenden kaq shumë Muze Etnokulturorë. Ata e dinë se historia, dhe trashëgimia që u është lënë në Tokën e Dalmatëve, është thesar i madh për kohën moderne, dhe ta mendosh, se Lezha është më e pasur sesa Spliti dhe Dubrovniku të marra sëbashku, kur vjen puna për etnokulturë.

Lajmi që edhe Lezha, ashti si Berati e Kruja e qytete të tjera në Shqipëri do të ketë Muzeun e Merituar Etnografik, nuk përbën ndonjë lajm të ububushëm në dukje, por përbën një zhvillim pozitiv për qytetin i cili nuk ka sesi të mos na sjellë në kujtesë atë frazën e vjetër të njohur të dasmës kallmetore ‘Ec kadalë e pesho randë’!