Ja si e përgatiti Fishta platformën e Reformës Arsimore…

Trashigimia më e madhe teorike që na ka lënë Fishta në fushën e studimeve pedagogjike, është platforma e Reformës Arsimore, që e përgatiti për ta mbajtur në parlament me rastin e diskutimit të buxhetit të shtetit për vitin 1921-1922, që e botoi në “Hyllin e Dritës” më 1924.

Për përgatitjen e platformës së kësaj reforme, siç e thotë vetë ai, u mbështet në përvojën e tij 24-vjeçare si drejtor shkollave françeskane në Shqipëri, tek zhvillimi i mendimit pedagogjik europian i kohës, dhe, në mënyrë të veçantë, tek analiza, që i bëri gjendjes së arsimit në atë kohë në shkallë vendi.

Fishta, për të realizuar kërkesat e kësaj reforme, u përpoq të mobilizonte në rradhë të parë deputetët. “Po s’deshëm, u drejtohet atyre, me tradhtue mandatin e komit, të përkujdesemi me të gjitha fuqitë e shpirtit t’onë, me i dhanë këtij komi nji edukatë të shëndoshtë e të përnjimendtë ndër shkolla, ku plotësohet e përkryhet edukata familjare e nerit… Po s’vum rend e rregull në arsim, prap komi ka me lingue n’errësi të padijes dhe të barbarisë edhe të hollat e shtetit tonë kanë me hupë pa kurrfarë dobijet. Por si për njanën, si për tjetrën punë, përgjegjësia bie mbi ne.”

Në këtë platformë paraqiten mendime me vlerë se si mund të kapërcehet gjendja.

Fishta vlerëson shumë dijet që merren në shkollë e burime të tjera, sepse rrisin fuqinë e individit e të shoqërisë për të vepruar në dobi të zhvillimit të vendit dhe të mbarë njerëzimit, por thekson se ato duhet të jenë në unitet me ndershmërinë. “Për me ba, thotë ai, qi nji popull t’jet përnjimend i fortë dhe i përparueshëm duhet me e edukue mendjen dhe vullndesën e tij, a se: duhet që ai popull të ketë moral e dije”.

Fishta vlerëson gatishmërinë e popullit për të sakrifikuar për shkollën “Në çështje t’Arsimit, u drejtohet ai deputetëve, popull qeveri e parlament janë gjetë gjithmonë një mendjet e nji zemret me ba flit ma të mëdhatë qi mund t’u bajshin prej shtetit t’onë. Por kur të marrim parasysh rezultatet praktike të këtij hovi të popullit shqiptar kah mësimi e dija, shohim se këto mjerisht nuk i përgjigjen as për s’largu flijeve që ai ban për to, pse mbas mendimit t’em, vepra arsimore e kulturore në Shypni nuk asht zhdrivillue gjithmonë e gjithkund me kritere të arsyeshme”.

Kjo vërejtje mbetet gjithnjë aktuale, sepse të vësh dorë në këtë fond ose të mos e miradministrosh atë do të thotë të dëmtosh rëndë formimin intelektual të forcave të reja prodhuese.

Fishta i vë një rëndësi të dorës së parë sigurimit të qetësisë publike. Kaq rëndësi i vë ai kësaj çështjeje, sa pranon që edhe një pjesë e fondit të caktuar për arsimin mund t’i kalohej forcave të rendit. “Ku qetësia nuk asht e sigurueme, thotë ai, aty mësimi nuk përparon, pse me krye në strajcë nuk zëhet letër si ka thanë i moçmi “inter arma silent Musae”.

Ai shtron problemin e zgjerimit të vazhdueshëm të rrjetit të shkollave deri në fshatrat më të thella, sepse këtë e kërkon zhdukja e analfabetizmit dhe ngritja kulturore e arsimore e popullit. Sipas tij, nevoja për sasi nuk duhet të dëmtojë cilësinë, sepse nga shkolla kërkohet që të nxjerrë punonjës të zotët për administratën e re me qëllim që ajo të ecë përpara, “si mbas parimeve, thotë ai, të dijes dhe të zejes, siç asht puna e komeve tjera të përparueme”.

Fishta, veç shkollës, i vë rëndësi të veçantë dhe shkëmbimit të përvojës me njeri-tjetrin, gjë që nuk mund të arrihej me mungesën e plotë të infrastrukturës, që ishte atëherë në Shqipëri. “Arsyeja e lyp, thotë ai, që sadopak e sidomos tash s’pari, njia 60% të buxhetit të shtetit të lehet në dorë të Ministrisë të Punëve Botore”. Kuptohet për zgjerimin e rrjetit të rrugëve dhe të mjeteve të komunikacionit.

Ai është kundër politizimit të shkollës. “Po këtu, thotë ai, gjithkund e prej gjithkuj po bahet politikë… E mbas këso qëllimesh politike e fetare kjo ministri ep bursat shkollore, emnon mësuesit e drejtorët e shkollave, dan materialin shkolluer”. Ai këmbëngul që shkolla të jetojë në botën e shkencës, arg konfuzioneve politike.

Fishta kërkon shpalljen e lirisë së mësimit, hapjen e shkollave private, por gjithnjë me leje të shtetit dhe nën kontrollin e tij. “Një shkollë private, thotë ai, nuk mund të hapet pa auktorizim të drejtorisë përgjithshtë t’Arsimit”.

Për Fishtën, mësuesit duhet të jenë figura të larta moralisht dhe të afta profesionalisht. Prandaj ai kërkon nga organet arsimore që të sigurohen nëse “Këta kanë një kuptim të drejtë e të shëndoshë ndaj moralit… se përnjimend janë të përgatitun për këtë zeje të shejtneshme”.

Fishta lufton me forcë kundër drejtimit me hamendje e pa plan perspektiv të zhvillimit të arsimit. “Unë, thotë ai, ma tepër Ministrinë e arsimit e padis se shkollat nuk i çilë mbas nji kriteri të arsyeshëm, të caktuem e të parashkoqitun mbas interesave të përbashkëta t’Atdheut, por mbas hamendjes së Ministrit apo të këshilltarëve të tij, thue se në këtë veprim ishin tuj përdorue gjanë e pasuninë e vet e jo të komit”. Ai kërkon me të drejtë, që në administrimin e shkollës dhe në organizimin e e proçesit mësimor dhe edukativ të mbizotërojë mendimi shkencor pedagogjik.

Fishta shtron nevojën për një kontroll të fortë në arsim. Edhe të metat që viheshin re atëherë në shkollë i shpjegon me indeferentizmin e mungesën kontrollit edhe nga deputetët. “Faji, ma fort i Ministrisë s’Arsimit, u thotë atyre, kujtoj se asht i joni, që nuk kontrollojmë punët ashtu si do të ishte detyra jonë”. Shtrimi me forcë i kësaj kërkese ishte me vend. Çdo neglizhencë në drejtim të kontrollit i hap rrugën abuzimeve të të gjitha llojeve, gjë që dëmton rëndë cilësinë e punës në shkollë.

Për shkollën e lartë ka lënë të nënkuptohet se ajo do të vijë pas zhvillimit në nivelin e duhur të arsimit parauniversitar.

Ai kujdeset për ndarjen e bursave me kritere të drejta dhe kërkon nga organet shtetërore që të kontrollojnë mbarëvajtjen në mësime të studentëve që ndjekin studimet jashtë vendit. Për zbatimin e kësaj kërkese e ka dhënë vetë shembullin i pari. Ai i ndiqte nxënësit gjatë studimeve të larta dhe jetonte aktivisht me shqetësimet dhe sukseset e tyre.

Kur një ish nxënës i tij fitoi konkursin e vitit akademik 1935, sipas dëshmisë së Leon Kabashit, ai shprehet përpara profesoratit të këtij instituti: “Jma tue provue një ndër gëzimet ma të mëdha të jetës s’eme, më duket një andërr, kah po shoh sonde nji bir shqiptarit të brohoritun për fitim të merituem n’art prej përfaqësuesve, profesorve e konkurentve”.

Letërsisë e arteve në këtë reformë u ka kushtuar një rëndësi të veçantë “Të mëkamet, thotë ai, një akademi letërsie autonome krejt e pamvarne prej qeverijet, përlimi i së cilës të jetë zhdrivllimi i literaturës dhe i kulturës s’epërme komtare”.

Reforma konceptohet e thellë. Ajo synon të fuqizojë shkollën deri në atë shkallë sa të arrijë të përgatisë specialistë të zotët që të drejtojnë shtetin, ekonominë, mbrojtjen dhe të formojnë tregtarë e industrialë të aftë për të përballuar kërkersat e kohës.

Shkolla, sipas tij, duhet të përgatisë kontigjente të mjaftueshme kuadrosh me atë gradë kulturore, që kërkon vendi i punës. “Ndër ligje organike të shtetit, thekson ai, të caktohet grada e kulturës e funksionarëve dhe e zyrtarëve për çdo nëpunësi të shtetit”.

Kjo kërkesë është plotësisht e drejtë, por në atë kohë ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar. Idetë e kësaj reforme përfaqësojnë një nga kulmet më të rëndësishme të mendimit tonë pedagogjik tradicional.