Erdhën për muaj mjalti në Lezhë, e papritura u prishi planin…

Ai ngriti mëngën e palltos dhe pa orën. Po afronte mesdita. Sapo doli nga pragu i Bar Obeliskut mori frymë thellë, ashtu si njeriu që s’ngopet dot kur bie në ajër të pastër, i hodhi një vështrim sheshit qëndror të Lezhës dhe e harkoi krahun që bashkëshortja të fuste dorën e të kapej në të.

Ata të dy, kishin ardhur në Lezhë, për më të pabesueshmen e arsyeve: të kalonin muajin e mjaltit këtu. Nga biseda e tyre në vijim do të kuptohej se ideja për të ardhur në Lezhë kishte qënë e burrit të saj, ndaj ai, e ndjente rëndshëm atë peshën e dyzimit nëse kishte marrë vendimin e duhur për ta kënaqur bashkëshorten apo jo. E dinte se kishte luajtur një bast të çmendur.

“Karl a është e vërtetë ajo që ka thënë një shkrimtar i madh shqiptar për këtë vend?”, e pyeti ajo ndërsa vështrimi i saj ndiqte herë lëvizjet e buzëve, herë sytë e të shoqit.

“Që?…”, ia ktheu me habi ai.

“Që edhe djemtë katërmbëdhjetë vjeçarë i shohin në sy gratë e martuara?”

“Kjo vjen ndoshta, ngaqë ky qytet nuk ka një jetë dashurore të mirfilltë publike, gjithçka ndodh fshehurazi këtu, për shkak të tabuve, të mentalitetit, të kodit të tyre të lashtë. Arti erotik është shtypur. Pasionet seksuale nuk shfryhen përmes artit apo kulturës, por mesa duket, vetëm përmes epshit”, u mundua të shpjegonte ai.

“Në fakt, tani që po e mendoj, qyshkur morëm kafenë e mbrëmshe e deri më tani, s’kam parë asnjë puthje në rrugët e këtij qyteti. Po pse nuk puthen njerëzit këtu? Thua të jetë ilegale puthja në Lezhë?, iu drejtua të shoqit, ndërkohë që priste përgjigjen e tij, ajo hapi çantën, nxori që andej smartfonin, e drejtoi nga vetja, dhe pa mos i kishte ikur i kuqi i buzëve.

Ai nuk ktheu përgjigje, vazhdoi të ecte me kokën ultas dhe vështronte fortashtrojën e gurtë të rrugës me ca sy që i përndrinin për shkak të zgjimit të një kujtimi të largët e të papritur.

“Gurët e rrugëve në qendër të këtij qyteti ngjajnë shumë me fortashtrojën e rrugëve të Romës, duken si qytete nënë-e-bijë, sikur njëri është krijesë apo zgjatim i tjetrit”, ndërroi temë ai.

“Fortashtrojë”… e përsëriti ajo si me pavetëdije këtë fjalë, instiktivisht filloi t’i kërciste më fort këpucët në të ecurën e saj, dhe flokët nisën t’i shpërndaheshin e rishpërndaheshin butësisht sipas lëkundjeve, sikur të donte ta sfidonte me egërsinë e saj, atë fortësinë kryeneçe të gurëve të rrugës.

Ndërsa i shoqi nuk e lejoi veten të humnerohej në mendime më të thella, ia hodhi dorën në bel, e tërhoqi afër trupit të tij dhe ndjeu aromën e mirë të qafës së saj.

“Kur do ma shpjegosh pse na solle për muaj mjalti në këtë vend?”, e pyeti ankueshëm ajo.

“Po ti pse pranove të vije”, ia priti ai.

“Meqë të pëlqente ty, për mua ishte arsye e mjaftueshme!”, ia preu shkurt ajo.

“Kam dëgjuar nga disa miq se meshkujt vendas këtu i shohin gratë e turistëve gjithë afsh”, u përgjigj ai me një buzëqeshje të hollë që i zbriti shpejt në fytyrë.

Në të vërtetë, ai hiqej sikur po tallej, dhe si pa e kuptuar cila shtysë apo cili mekanizëm ia kishte pleksur atë mendimin, se pikërisht këtu, në Lezhë, ishte vendi për ta kaluar muajin e mjaltit. E kishte tunduar gjithnjë ai mendimi se duke e shtyrë gruan e tij në një vend ku ajo do të lakmohej papushim, të ndjehej objekt i dëshirës, të flirtonte kudo me një tërësi të panumërt sysh që do ta kundronin trupin e bukur të saj…

Kështu pra, vetë ky, duke e parë gruan e tij që kthehej në objekt i dëshirës së të tjerëve, do të rinohej, epshi i tij, ashtu si në ditët e para të lidhjes së tyre, do të zgjohej e do të shpërthente tamam si ajo krijesa që vjen nga thellësitë e detit për të shkumëzuar gjithë sipërfaqen.

Ky ishte shpjegimi pse kishte zgjedhur Lezhën, edhe pse diku thellë brenda qënies ia mbante të fshehur edhe vetes këtë turpëri.

Ai ndjeu gishtat e saj ta përkëdhelnin në qafë e bashkë me to, ndjeu se era e mirë që ende vinte prej qafës së saj e bëri t’ia afronte gojën te veshi dhe t’i pëshpëriste:

-Si do të flemë sonte? Butë apo fort?

Anna ngriti supet për të thënë “ku di unë?”, pastaj ai filloi t’i thoshte fjalë të ëmbla, gjysmë të turpshme, nga ato prej dëgjimit të të cilave ajo kafshonte buzën, me sytë përherë anash, e lëkundur midis dëshirës që ai të pushonte së foluri ose të shkonte edhe më larg.

Ia hodhi duart rreth belit dhe e tërhoqi fort nga vetja, derisa beli i saj u përplas fort me të tijin, ia zbërtheu shkujdesur pa pikën e mëshirës gjithçka ajo kishte veshur. E ngriti peshë trupin e saj, ajo i lidhi duart fort pas qafës së tij, dhe kofshët e mbështetura në krahët e tij, ndërkohë që të pasmet ia shtrydhte fort me duar nga ai dëshirimi i egër që i ziente gjunjët e kockat, e urdhëronte atë që të lëkundej fort e të ngulej në belin e tij me gjithë peshën e saj… Të gjtha këto i mendoi, kurse, në të vërtetë, s’bëri gjë tjetër, veçse shtrëngoi fort nofullën, e me majën e gjuhës njomi paksa buzët.

“Hahaha” – qeshi ajo.

“Nga të erdhi” – pyeti ai, i frikësuar se mos ajo e kishte parë gjithë atë fantazinë e shthurur të tij, mu në qendrën e një qyteti verior.

“Sa të çuditshëm jeni ju burrat”, vazhdoi ajo, “nga njëra anë talleni me ne femrat që besojmë tek horoskopi, e nga ana tjetër keni besim të plotë te vetja, që asnjë prej femrave të cilat i keni futur në shtrat, nuk e ka shtirur orgazmën e saj. Kjo më bën të qesh!”
Kjo nuk i shkaktoi të qeshura Karlit, por të paktën e bindi për kotninë e hamendjeve të tij të mëparshme.

Anna vazhdonte të kundronte rrugën, dhe befas, trupi i saj, u largua sa mundi në skajin tjetër të rrugës, sikur të donte të vendoste në një hapësirë të zbrazët diçka që njeriu deshiron ta bëjë të bjerë në sy.

“Karl kjo është e tmerrshme!”, ajo drejtoi gishtin mu në mes të rrugës, aty ku pak çaste mëparë, një kalimtar kishte lëshuar pa kurrfarë droje gëlbazën e cila shpërndahej merimangshëm në pikën ku bashkohen katër gurë të shtruar në rrugë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në po atë moment, hapet dera e një zyre, pak para Annës, nga e cila del një burrë me një ecje shtrembaluqe i ndjekur nga qen bishtcung, i cili, ky i fundit, me gjuhën e tij e kërkoi pështymën thellë, shumë thellë, në shpellën e gojës, e ndjekur mëpas nga një jehonë shpelle, e gjuajti atë masë verdhake pak metra larg këmbëve të Annës.

Ajo ndjeu një peshë të pakëndshmë në lukth, sikur i përzihej, i dukej sikur pa dëshirën e saj ajo gjendej, në një skenë krimi, apo hapësirë bombardimi. Shqisat e saj filluan të mpriheshin sikur, të donte të ruhej prej rrezikut që mund t’i vinte nga drejtime të panjohura.

Filloi ta shihte rrugën në qendër të Lezhës, më imët, dhe sytë i kapnin bishta cigaresh të lëshuar ngado, a thua sikur ky qytet të mos ishte asgjë më shumë sesa një tavëll e madhe duhani.

Njollat e pështymës së kalimtarëve që niseshin për diku, ose ktheheshin nga dikah, kishin formuar një dendësim të parregullt nëpër rrugë, të cilin ajo, mëparë e kishte ngatërruar me piklat e një shiu të rallë.

Më tutje, në trungun e një peme buzë trotuarit ajo pikasi një njollë, tamam si ato gjurmët e gishtave të atij që pasi ka shfryrë hundët, i ka pastruar duart në trungun e saj.

Karli ndjehej i shokuar, jo aq shumë nga skena, por nga mënyra sesi një detaj i vogël estetik në rrugët e një qyteti, ia firoi me shpejtësi marramendëse të gjithë atë zjarrmimin e brendshëm që sapo kishte filluar t’i vlonte…

Atypëraty atij filloi t’i formësohej mendimi, se ja, shtetet vërtetë mund të harxhonin miliardat për turizmin, për projekte, për reklamën, për brandin, dhe nuk do ta merrnin dot kurrë me mend, se ca bishta cigaresh, ca njolla pështyme, dhe gëlbaza e ngjitur merimangshëm në gurët e rrugëve, do të kishte fuqinë, në një moment të caktuar ta zhbënte fund e krye jo vetëm përpjekjet e një qeverie të tërë për imazhin, por edhe të vriste në mënyrën më të pamëshirshme çdolloj dëshirë për të vazhduar më tej ecjen në rrugët e tij.

Mendimi që dikush mund të krijonte një ushtri me bishtcigarelëshues, pështymëgoditës, dhe gëlbazëqitës për të sulmuar estetikisht çdo qendër qyteti turistik, iu duk për një moment edhe më i rrezikshëm se dëmi që mund të shkaktonte një sulm raketor në po të njëjtin vend, pasi ndaj këtij të dytit edhe mund të mbrohesh, ndërsa nga i pari, nuk ke si mbrohesh dot.