4 Leksione për Jetën nga Mjeshtri Lezhjan i Penelit …

Ne jemi të rrethuar nga arti, nga muzetë dhe ekspozitat. Në të shumtën e rasteve e kemi të vështirë t’i kuptojmë veprat dhe t’i dëshifrojmë kutpimet e tyre. Arti kryen shumë funksione njëherësh, dhe si i tillë ai mund të lexohet në shumë mënyra, atij mund t’i bëhet lexim teknik, lexim politik, lexim historik, dhe së fundmi, ajo që na intereson për qëllimet e këtij artikulli, është, leximi terapeutik.

Arti, veprat e artit kanë fuqinë që të depërtojnë drejt e në shpirtin tonë, e t’i flasin pjesës më të thellë e më intime të qënies. Muzeu, në këtë kuptim mund të shihet si klinikë e shpirtit, ku ekziston mundësia për terapi personale dhe ekzaminim shpirtëror.

Ne kemi përzgjedhur nga thesari artistik i piktorit lezhjan Pashk Përvathi, 4 prej piktura të tij, dhe jemi përpjekur të gërmojmë në to për të zbuluar me aq sa mundëm disa mësime prej tyre:

Një pikturë që tregon sesa thjeshtë mund të tërhiqemi nga gjërat e gabuara, dhe cilat janë pasojat.

@Pashk Përvathi

Në lidhje me aspiratat tona për mirësinë, ne vuajmë nga ajo që quhet dobësi e vullnetit. Ne duam të sillemi mirë në marrëdhëniet tona, por shpërthejmë nga presioni i ngarkesës emocionale.

Ne duam të japim më shumë nga vetja, por e humbasim motivimin në një moment kritik.
Në këto rrethana, veprat e artit mund të na sjellin dobi të madhe duke na inkurajuar të jemi versioni më i mirë i vetes tonë, diçka që ne do ta përbuznim vetëm në rast se do të ishim frikacakë nga ndërhyrjet e jashtme apo ta mendonim veten tashmë si të përsosur.
Lloji më i mirë i artit paralajmërues – arti që është moral pa qenë ‘moralist’ – e kupton sa e lehtë është të tërhiqemi nga gjërat e gabuara.

Ky lloj arti mbetet i gjallë për faktin se njerëz mjaft të mirë përfundojnë duke bërë gabime të mëdha dhe i bëjnë këto padashje. Kjo pikturë mbetet një paralajmërim për këdo sesi njerëzit e mirë mund të shkojnë në degradim, pak nga pak, ditëpërditë dhe pa e kutpuar…

Në pikturën e Përvathit, mund të shohim se problemet e burrit rrjedhin nga pija. Por ai nuk është një burrë i keq; çehra e tij simpatike dhe e çlirët nuk është e shtirur.

Ne imagjinojmë se ai dëshiron t’i bëjë të gjithë të lumtur – ai është thjesht i pasigurt dhe lehtësisht i ndikueshëm.

Ne mund të supozojmë se një grumbullim i marrëzirave të vogla ka çuar përfundimisht në shitjen e pronës së tij. Shtëpinë që i përkiste familjes së tij rrezik e ka humbur me dorën e tij.

E gjithë fuqia e artistit ka bërë që ne të ndiejmë turpin dhe trishtimin e kësaj në një mënyrë që mund të ndikojë në sjelljet tona, sepse shumë nga ne i dallojmë disa nga prirjet e këtij njeriu edhe te psikja jonë.

Një pikturë për t’i marrë gjërat më avash…

@Pashk Përvathi

Arti hap rrugën drejt vetënjohjes dhe është një mënyrë e shkëlqyer për t’ua komunikuar ndjesitë e papërshkrueshme njerëzve e tjerë. Të ndash përjetimet tuaja është jashtëzakonisht e vështirë; fjalët mund të ndjehen të ngathëta, të pamjaftueshme.

Konsideroni të përpiqeni të përshkruani një shëtitje përkrah një liqeni në një pasdite të butë pa ndihmën e një imazhi. Pamja e pakursyer e Pashk Përvathit përqendrohet në ato aspekte të përvojës që janë aq të vështira për t’u verbalizuar (thënë me fjalë). Rrezet e dritës në pikturë janë jashtëzakonisht domethënëse, edhe pse është e vështirë të thuash se çfarë kuptimi kanë. Dikush që e vrojton këtë pikturë i lind dëshira të thotë: “Kur rrezet janë ashtu, unë ndjehem kështu.”

Piktori ka krijuar një imazh që është në dashuri me faktin se asgjë nuk po ndodh. Pemët janë veshur me vjeshtë dhe e përçojnë dritën e Diellit në një formë spektakolare. Jeta vazhdon qetësisht, nuk ka asnjë dramë, as pritje për ndonjë rezultat, asnjë i famshmëm s’po divorcohet atë ditë, asnjë lajm tronditës, asnjë turravrap për të arritur dikund. Është e qetë, por jo e lodhur.

Ajo është jashtëzakonisht paqësore, por jo inerte. Në një mënyrë të çuditshme, piktura është e mbushur me një ndjenjë kënaqësie që ekzistojmë dhe jemi gjallë, e shprehur në heshtje. Nuk është drita në vetvete ajo që është aq tërheqëse; përkundrazi, është gjendja shpirtërore që aksesojmë nëpërmjet saj. Përvathi kap një pjesë që nuk është e përkufizueshme me fjalë. Ju mund ta shihni këtë imazh dhe të thoni,“‘Kjo është ajo që ma qetëson shpirtin dhe m’i ëmbëlson sytë; dhe do të dëshiroja të ndjehesha kështu më shpesh.” Kjo pikturë mbart fuqinë e fillimit të një miqësie të rëndësishme nëse edhe dikush tjetër e përjeton atë si ty.

Një pikturë për dhomë gjumi për të shpëtuar martesën

@Pashk Përvathi

Më tepër sesa përbërës të një kulturë kopshtarie e të tregtueshme, për frutat nuk rezervohet ndonjë piedestal i lartë në botën e komplikuar bukur të artit.

Çfarë e nguc një piktor që të kthejë në vepër arti diçka kaq të zakonshme, që e kemi çdo ditë para syve, pamjen e të cilës, mjafton të futemi në kuzhinë dhe e gjejmë gjithmonë aty me atë prehjen e saj ndonjëherë edhe të mërzitshme.

Atëherë pra, çfarë kuptimi ka? Pse duhet ta kemi edhe të pikturuar?

Pse, ashtu si Manet, si Frida Kahlo, si Arcimbolo etj., edhe Pashk Përvathi do t’i dorëzohej impulsit të pikturonte një portret të frutave dhe të një trëndafili të freskët e të tërhiqte sytë e botës në hijeshinë e qetë të këtyre prodhimeve shumëvjeçare të ngrënshme.

Me gjithë delikatesën e penelit të tij, Pashk Përvathi nuk po kërkonte që t’i bënte ato më të ëmbla seç janë; ai nuk po e përdorte penelin e tij për t’u dhënë atyre cilësitë që nuk i zotërojnë.

Përkundrazi, ajo që bëri ishte të zbulonte meritat e tyre para-ekzistuese, por në përgjithësi të shpërfillura e të ngopur me pamjen e tyre.

Aty ku ne do të shihnim vetëm një trëndafil, një pjepër apo një pjeshkë të zakonshme, Përvathi vuri në dukje dhe regjistroi individualitetin e hollë, ngjyrën e veçantë dhe ndryshimet tonale të secilit frut. Duke vepruar kështu, duke arritur të shquajë veçanti e të sjellë risi në atë që na duket mërzishëm familjare, ai i shpengon këto fruta të përulura, në mënyrë që sot, duke qëndruar para figurës së tyre, ato mund të shihen si emblemë e një jete të jetuar mirë dhe e shijuar freskët, pa e lënë të vyshket.

Për ta shpëtuar një martesë nga monotonia, (ja përse trëndafili gjendet aty) ne mund të mësojmë të ndikojmë tek partneri/ja jonë me të njëjtin transformim imagjinativ që Përvathi ka kryer me frutat e tij. Ne duhet të përpiqemi të gjejmë të veçantën dhe të bukurën nën shtresat e të zakonshmes dhe rutinës.

Nuk është rastësi që piktori ka vendosur midis frutave edhe një trëndafil, për të na thënë se mund ta shohim aq shpesh partneren/in tonë, dhe të mos provojmë ndonjë zgjim interesi për të, për shkak të kthimit të lodhur nga dita e punës, dhe nga tejngopja me pamjen e saj, ne harrojmë që ka një nuancë të re për të zbuluar e që ai/ajo mbetet akoma aventureske, e vrullshme, e pacipë, inteligjente dhe mbi të gjitha e denjë për dashurinë.

Rrugëtimet e vështira nuk janë pa rreziqe

@Pashk Përvathi

Një nga rreziqet më të mëdha kur dashuria na ka zhgënjyer është që njerëzit të tundohen të na thonë gjëra të gëzuara për të na ngushëlluar. Të etur për të lehtësuar dhimbjen tonë, ata do të na sigurojnë se lumturia është aty afër përtej qoshes, se vuajtjet do të jenë të shkurtra dhe se ish-i/ja nuk ia vlente të hidhej asnjë pikë loti për të.

Po të donte të ecte me vazhdën e njerëzve edhe piktori mund të kishte pikturuar një imazh qetësues; mbase një anije që kthehet me siguri në port ose një natë të qetë me një ishull në distancë. Me fjalë të tjera, ai mund të kishte thënë se gjithçka ka për t’u bërë më mirë.

Përkundrazi, piktura e tij na e bën të qartë se udhëtimet janë të rrezikshme, se rreziku është real. Ai na çon në një vlerësim më të saktë të guximit – udhëtimi është i mrekullueshëm, dimri i shpirtit na bën më të fortë dhe se dashuria ia vlen njëqindfish, por rreziqet duhet të njihen dhe aftësia për t’u përballuar me to duhet nderuar.

Në mbyllje…

Ekzistenca e Pashk Përvathit, e talentit të tij artistik, është mënyra që natyra ka zgjedhur për të parë veten e saj. Ky njeri është dëshmi e përshkëndijimit artistik të këtij qyteti, bir i kësaj natyre, i krijuar prej saj dhe krijues i Lezhës, pikturat e tij rrëfenjë natyrën e njeriut dhe të artistit lezhjan:

“Ne jemi kërkues të bukurisë, por e shmangim ekstravagancën. Ne admirojmë përparimin, por jemi të impresionuar nga e zakonshmja. Për ne, pasuria është një qëllim për vlerën e saj kur përdoret, jo si një mburrje boshe. Dhe turpi i varfërisë nuk qëndron në pranimin e saj, por më shumë në dështimin për ta shmangur atë në praktikë. Të jesh kështu do të thotë të jesh bir i Lezhës.”