Zgjerohet vatra, 5 raste të reja me koronavirus në Lezhë

Pesë raste të reja me koronavirus janë shënuar në 24 orët e fundit në Lezhë.

Mes personave të infektuar me Covid-19 është edhe bashkëshotja e policit të burgut të Shënkollit.

Ditën e djeshme, një polic i burgut në Shënkoll rezultoi pozitiv me Covid-19.

Gjithashtu, nga rastet e fundit të infektuar me koronavirus janë edhe 4 familjarë të një pacienti që ka qenë i shtruar në QSUT. Njëra nga familjarët është punonjëse në Bashkinë Lezhë.

Vijon të jetë i lartë numri i të infektuarve në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë 50 persona dhe 1 ka humbur jetën. Gjatë deklaratës për përditësimin e rasteve me koronavirus në vendin tonë Dr. Eugena Tomini ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 330 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19 nga të cilat janë konfirmuar 50 raste positive, kryesisht raste të reja si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.

Lajmi i mirë është se 24 orët e fundit janë shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 1114 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 17 raste në Tiranë, 6 në Krujë, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Fier, 3 në Korçë, 2 raste në Vlorë dhe Elbasan dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Mirditë dhe Sarandë,

Një pacient 69 vjeçar nga Kruja me leukozë akute, ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga Covid19. Pavarësisht mjekimit intensiv prej 10 ditësh dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit.

Në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.