VETËVENDOSJA fitore madhështore në Kosovë, zyra elektorale në Lezhë në festë!

Lëvizja Vetëvendosje triumfoi bindshëm dje në Kosovë.

Mbështetësit dhe aktivistët e kësaj force në Kosovë po e dëgjonin përpara se ta shihnin fitoren mbrëmë, kur filluan festimet ende pa nisur numërimi i votave.

Z. Albin Kurti, prijësi i Vetëvendosjes, së shpejti Kryeministër i Kosovës, e pati lajmëruar edhe më herët, se në këto zgjedhje beteja është për vendin e dytë e jo për të parin. E në fakt, ashtu doli.

Është hera e parë megjithatë që një zhvillim kaq i rëndësishëm në Kosovë ndikon drejtpërdrejt në klimën dhe ekuilibrat politikë të Shqipërisë. E themi këtë, duke u bazuar në faktin se Lëvizja VETËVENDOSJE nuk është vetëm një parti kosovare, por tashmë edhe shqiptare.

Madje sot, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar grupin nismëtar për mbështjetjen e Z. Iliaz Shehu si kandidat në Qarkun e Lezhës.

Kandidati për Tiranën i kësaj force, Z. Boiken Abazi nuk e fshehu aspak euforinë me statusin e tij të bujshëm mbrëmë, “Sot Kosova, nesër Tirana, Lezha e Gjirokastra …”

Por jo vetëm ai, sepse mbrëmjen e sotme, në zyrën elektorale të Lëvizjes VETËVENDOSJE në qytetin e Lezhës, është parë një prezënce e shtuar dhe atmosferë festive. Të cilët, për shkak, të protokollit pandemik të distancimit, ishin të detyruar të gëzonin më fort së brëndshmi duke u mjaftuar me foto, buzëqeshje, përshendetje të shpejta, bori makine në distancë dhe valëvitje duarsh.

Fitorja e ditës së djeshme në Kosovë e VETËVENDOSJES ishte një pikë fleksi për degën e saj në Shqipëri sa u takon zgjedhjeve të 25 Prillit. Ata e shohin çdo ditë se si po krijohet fryma në mbështetje të tyre kudo, dhe nuk e fshehin dot, sepse u lexohet në fytyrë.