Ushtria në Lezhë, në gatishmëri për situatën e krijuar nga reshjet e shumta

Me kërkesë të autoriteteve vendore, në Lezhë kanë mbërritur forcat e ushtrisë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e shumta dhe rreshqitjet e dherave.

Ushtria është vendosur në qendër te qytetit në gadishmeri për të ndërhyrë në varësi të situatës. Aktualisht vijojnë reshjet e shiut dhe prurjet në lumenjtë Drin dhe Mat janë të larta.

Më herët ka patur një deklaratë për mediat të kryebashkiakut Ndreu:

Nëse intensiteti i reshjeve do të agravojë, situata mund të bëhet më e rrezikshme….

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, tha se situata në këtë zonë nga përmbytjet është shumë e rënduar, madje në disa vende dhe e rrezikshme.

Duke folur për media, kryebashkiaku Ndreu u shpreh se të gjithë punonjësit e bashkisë, të emergjencave, prefekturës e policisë kanë dalë në terren dhe po bëjnë gjithçka që të mos ketë pasoja në njerëz.

“Situata është e rënduar, vende vende shumë e rrezikshme. Situatë shumë e rëndë është në lagjen e spitalit, ku ka rrëshqitje dheu që rrezikon banesat. Isha vetë aty dhe e pashë, presim nga Tirana specialistë të emergjencave, që të vijnë dhe ta vlerësojnë. Është e rëndësishme të veprohet menjëherë, sepse nëse do të ketë reshje në vijim, situata mund të rëndohet. Deri tani kemi evakuuar banorë dhe një kopsht. Bisedova vetë me disa banorë dhe iu thashë se nuk mund të rrinë natën aty, dhe na mirëkuptuan. Nëse intensiteti i reshjeve do të agravojë, situata mund të bëhet më e rrezikshme. I gjithë ekipi i emergjencave, bashkë me punonjësit e bashkisë, ujësjellësit, policinë, prefekturën, jemi duke menduar së pari për eliminimin e pasojave në njerëz. E para është shpëtimi i jetës së njerëzve. Ne kemi bërë disa evakuime dhe vijojmë të bëjmë. Deri më tani është bërë shumë punë, sepse ndryshe situata do të ishte katastrofë. Megjithatë Lezha ka një problem, sepse nuk janë vetëm reshjet që bien këtu, por edhe në zonat malore, hapja e hidrocentraleve, që krijojnë probleme këtu. Po shohim me shumë kujdes rezervuarin e Kallmenit, i cili nëse ndodh ndonjë gjë, do të ketë katastrofë. Kemi problem dhe me një hidrocentral, sepse është i tejmbushur dhe po marrim masa. Po na vijnë në ndihmë dhe forca shtesë nga emergjencat”, tha Ndreu.