UNDP zgjedh Lezhën si Bashki pilote, ja cili është plani…

Përfaqësuesit e UNDP – (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin) kanë zhvilluar një takim në zyrën e Kryebashkiakut Ndreu.

Fokusi i këtij takimi mësohet se ka qënë çështja e Emergjencave Civile, ku sipas deklaratës së Ndreut në faqen e tij zyrtare, Lezha është zgjedhur si Bashki pilot nga ky organizëm ndërkombëtar.

Ky sigurisht që është një lajm i mirë, sepse Lezha, përpara se të jetë qyteti i turizmit, i bukurive të natyrës e i historisë, është gjithashtu dhe kryesisht qytet i emergjencave.

4 janë rreziqet madhore që e kërcënojnë Lezhën:

  • Tërmetet
  • Përmbytjet
  • Zjarret
  • Erozioni

Tërmetet edhe pse të rrallë, mbartin një rrezik potencial të lartë, është ende i freskët në kujtesën tonë 26 nëntori i 2019-ës.

Përmbytjet vijojnë të jenë një kërcënim eminent për shumë zona në Lezhë.

Zjarret e kanë lënë gjurmën e tyre ende të dukshme në malin e Shëngjit, apo ato të një viti mëparë në Manati.

Erozioni detar, ky vrasës i heshtur i cili i vjedh tokës çdo vit nga 3 metra, do ta sjellë shumë shpejt ditën kur Shëngjinit do t’i zhduket brezi i rërës, e që kostoja e kësaj do të jetë me të vërtetë e madhe.

Me gjithë këto fronte për t’u mbrojtur, nuk është aspak çudi që Lezhës, ndoshta më shumë se çdo qyteti tjetër i duhet një sistem i koordinuar, modern dhe perfekt i Emergjencave Civile, nuk duhet nënvlerësuar gjithashtu edhe ndërgjegjësimi dhe solidarizimi qytetar në këto raste.

Ndaj nuk do të ishte aspak e tepërt të shprehnim mirënjohjen tonë ndaj UNDP që e nismëtoi këtë projekt, dhe ndaj çdokujt që ka lobuar që sot të mundësohej ai takim.