U fut në shtëpinë e tjetrit, kapet me “presh në duar” 23 vjeçari në Lezhë

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 23-vjeçar pasi ka tentuar të grabisë një banesë. I riu është kapur në një nga dhomat e banesës që ishte futur për të vjedhur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, arrestuan në flagrancë shtetasin: D.K.,23 vjeç, banues në Lezhë (i dënuar më parë për vjedhje, i cili para një jave kishte dalë nga burgu).

Ky shtetas, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka tentuar t’i vjedhë banesën shtetasit Gj.K., banues në Lezhë, duke hyrë nga dritarja, por është konstatuar nga i zoti i banesës, i cili ka njoftuar menjëherë policinë.

Falë reagimit të menjëhershem të forcave policore pas marrjes se njoftimit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, në një prej dhomave të banesës së shtetasit Gj.K., ku gjatë kontrollit fizik Policia i gjeti një mjet prerës (thikë).

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprat penale “Vjedhja”dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” .