Turad Kamara: “Në Lezhë po vdisja për bukë!”, Ndoka: “Ky mosmirënjohës i dëshpëruar!”

Faqja sportive Goal News Albania ka publikuar ditën e djeshme reagimin e Presidentit të Besëlidhjes Z. Gjok Ndoka në lidhje me deklaratën e ish-futbollistit të këtij ekipi Oumar Turad Kamara, i cili mësohet të jetë shprehur se “në Lezhë desh me lanë të vdisja për bukë!”.

Në reagimin e tij, Z. Ndoka, i cili për hir të së vërtetës, jo vetëm që nuk ka shprehur ndonjëherë me fjalë, por as me vepra, racizëm ndaj ndonjë etnie apo kombësie, madje nëse u referohemi kronikave ai edhe i ka mbrojtur lojtarët e Besëlidhjes nga reagimet raciste nga kushdo tjetër.

Ja çfarë thotë Goal News Albania në lidhje me këtë çështje:

Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, ka folur me shumë qetësi pas deklaratave të mesfushorit nga Guinea, Omar Turad Kamara, i cili është shprehur se në Lezhë po vdiste urie dhe se ka fjetur në korridorin e stadiumit. Kreu i klubit lezhjan sqaron gjithçka me detaje, duke hedhur poshtë pretendimet e afrikanit. Ai e quan mosmirënjohës Kamaranë dhe zbulon disa detaje interesante nga bëmat e tij.

“Jo vetëm unë, por e gjithë skuadra dhe stafi teknik u shokuan nga deklaratat për ‘Panorama Sport’ të Omar Turad Kamara në adresën time. Akuzat e tij nuk qëndrojnë, janë thjesht llafe në kulmin e dëshpërimit, pas dështimeve të njëpasnjëshme për të luajtur në Superiore. Një pjesë e futbollistëve që luajnë edhe sot me Besëlidhjen kanë banuar me të, e dinë shumë mirë çfarë kushtesh ka pasur. Në kushtet që ka banuar Kamara, kanë banuar edhe futbollistë të tjerë, siç janë sulmuesi Edmond Hoxha dhe katër serbët. Le të flasin vetë ata. Dhoma ku ka banuar Turad Kamara i ka kushtet normale: krevat, kondicioner, dollap rrobash dhe lavatriçe. Rrobat në lavatriçe ia ka larë punëtori, ai vetëm i ka veshur.

Mund të dëshmojnë futbollistët që banojnë ende aty. Në Lezhë banojnë edhe 4 futbollistët serbë, të cilët janë trajtuar me ushqim të gjithë në një tavolinë në lokalin tim. Madje, ai i thërriste “mama” bashkëshortes sime, e cila u ka shërbyer. Për mua të gjithë futbollistët janë njësoj dhe jam munduar t’i trajtoj si fëmijët e mi, pa dallim race, apo kombësie. E them prapë, le të flasin futbollistët serbë dhe Hoxha që trajtohen aty me të gjitha vaktet. Nuk i kam borxh askujt, as rroga dhe asgjë. E dinë mirë të gjithë ata që kanë luajtur për Besëlidhjen që kur jam president i saj”, thotë së pari presidenti i Besëlidhjes.