Tjetërsimi i Pronave në Shëngjin të Lezhës, Apeli i Shkodrës vendos sot?

Më 17 Shtator 2020 Gjykata e Lezhës mori vendimin në lidhje me Dosjen për Tjetërsimin e Pronave në Shëngjin, e ashtuquajtura Dosja “Rana e Hedhun”.

Gjykata e Lezhës është një gjykatë e shkallës së parë në sistemin e drejtësisë shqiptare, ndaj palët e shpallura fajtore në këtë proces, kërkuan ankimimin e vendimit në një gjykatë të shkallës më të lartë, që konkretish në këtë rast, është Gjykata e Apelit Shkodër.

Ditën e sotme, 22 Shkurt 2021, në kalendarin e seancave të kësaj gjykate, rezulton, sipas të dhënave në faqen zyrtare të saj, nën zërin Civile të Përgjithshme edhe gjykimi i dosjes “Rana e Hedhun” me numër çështjeje 51004-00703-50-2020.

Kjo seancë do të zhvillohet ditën e sotme në ora 15:00, gjithmonë sipas të dhënave zyrtare të Apelit të Shkodrës, ku Pala 1 është Prokuroria e Apelit Shkodër dhe Pala 2 janë të pandehurit për çështjen sipas vendimit të Gjykatë së Lezhës.

Kryetare e Trupit Gjykues në këtë seancë do të jetë Gjyqtarja e Apelit Vojsava Osmanaj, dhe tipi i çështjes në shqyrtim është “Konstatim Pavlefshmërie Dokumenti”.

A do të marrë Apeli i Shkodrës një vendim përfundimtar të formës së prerë që sot?

Kjo mbetet për t’u parë sot, në 15:00.