“Tentoi t’i korruptonte!”/ Rrugorët e Lezhës i vënë prangat 19 vjeçarit (Video)

Policia Rrugore e Lezhës godet një tjetër rast të mitëdhënies.

Arrestohet në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. L., 19 vjeç, banues në Firence, Itali, i cili i ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative.

Ky shtetas në aksin rrugor Thumanë – Milot, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë, konstatuar nga agjenti verifikues me Radar, dhe gjatë momentit të ndalimit i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin një kartëmonedhë të prerjes 50 euro, me qëllim shmangien e masës administrative.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

Ky është rasti i dytë në harkun e pak javëve ku drejtuesit e automjeteve me qëllim që të shmangin masat administrative u ofrojnë rryshfet njësive të policisë rrugore. Por ky është edhe rasti i dytë në harkun e pak javëve kur Policia Rrugore e Lezhës, tentativës për korrupsion, i është përgjigjur me pranga.