“Ta lumsha Pjerin!”, rokadë e madhe në PS, rikthehet Lindita Nikolla në Lezhë

“Ta lumsha Pjerin!”, ky është komenti më i shpeshtë që lexohet nga ndjekësit në faqen zyrtare të kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu.

Dihet që puna, shembulli i mirë, dhe rritja e ndikimit në komunitet e tek grupet e interesit, konvertohet direkt me pushtet në PS, dhe është normale për çdo formacion politik.

Një prift katolik pati thënë njëherë se “në këtë jetë nuk ka njerëz të mençëm, por vetëm njerëz të vëmendshëm”, dhe pa pikën e dyshimit Pjerin Ndreu është një lojtari i vëmendshëm i politikës në Shqipëri.

Të gjithë i kanë parë me video, që nga rasti delikat me pallatin 12 katësh në Lezhë që u dëmtua nga tërmeti, e deri tek mbledhja për turizmin me ministrin Klosi, që Ndreu dhe Lleshaj nuk “shkonin dhe aq mirë”… njëri si drejtues politik e tjetri si kryebashkiak, në Lezhë.

Që prej asaj dite, kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe ministri Lleshaj nuk është parë në Lezhë, një mënyrë e tij ndoshta për të folur përmes heshtjes. Kjo u kuptua ditën e sotme, në mbledhjen e kryesisë së socialistëve ku Rama vendosi ta çlirojë ministrin Lleshaj nga përgjegjësia e drejtimit politik të Qarkut Lezhë duke i dhënë mundësinë kështu të përqëndrohet plotësisht me rendin publik.

Nga ana tjetër, nga burime konfidenciale, mësohet se rikthimi i zonjës Nikolla si drejtuese politike e Qarkut Lezhë ka qënë as më pak e as më shumë por një propozim i kryebashkiakut Ndreu, një propozimi i cili, mësohet të jetë arsyetuar duke u mbështetur në faktin se gjatë drejtimit të Qarkut Lezhë nga zonja Lindita Nikolla, është arritur rezultati më i lartë i PS në Lezhë (kujtoni ato bluzat me +1650).

*Gjithashtu, nga zëra të ndryshëm pohohet se Ndreu është shprehur se nëse Lleshaj vijon të mbetet drejtues politik në Lezhë, ai vetë (Ndreu pra), është shprehur se nuk do të mbajë përgjegjësi për rezultatin elektoral në Lezhë.*

Në fund të ditës, pak rëndësi ka se çfarë zërash qarkullojnë nëpër korridoret e PS-së, ajo që tashmë ka vlerë faktike është se Lindita Nikolla rikthehet edhe njëherë në Lezhë, dhe “pendesa apo pishmani” i Ramës ndaj saj u kuptua edhe në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste në fundshkurtin e këtij viti.

Partia Socialiste tashmë i ka ndezur motorët elektoralë dhe çdo lëvizje apo zhvillim nga ky moment e tutje do të intepretohet vetëm në funksion të triumfit elektoral në vitin 2021 me pikësynim një mandat të tretë.

Të jesh drejtuese politike e një Qarku është një gjë, dhe të jesh drejtuese politike e një Qarku në vit elektoral është një gjë krejt tjetër, ndaj sigurisht që, për zonjën Nikolla ky emërim vjen me një përgjegjësi shumë të madhe politike, dhe një provë e parë në Lezhë e pret direkt këtë muaj, pasi në të gjitha Njësitë Administrative të Lezhës do të kryhet procesi i votimit për kryetarët e fshatrave.

Kjo do të jetë një provë e parë relativisht domethënëse për socialistët e Lezhës, ose le të themi, një sondazh apo anketim real mbi atë sesi është i orientuar aktualisht elektorati, nga rezultati i të cilit sigurisht që do të diktohen edhe hapat e mëpastajmë.