Studiuesi nga Lezha: “Ja kush po e duartroket atë që ndodhi mbrëmë me Albin Kurtin…”

Të qëllon të lexosh analiza apo komente ku thuhet se më 25 mars 2020 ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, u bë një komplot, ose thuhet se u tradhtua vullneti i popullit të Kosovës, etj.

Natyrisht duke pasur parasysh emergjencën botërore shëndetësore që lidhet me përhapjen e virusit COVID-19, të vjen të thuash se nuk kishte asnjë nxitim që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të paraqitej në javët në vijim, pasi të fillonte të normalizohej situata.

Megjithatë, rrëzimi më 25 mars 2020 i Qeverisë në Kosovë së drejtuar nga Albin Kurti, në aspektin kushtetues nuk përbën ndonjë problem (në aspektin e përgatitjes intelektuale, si politikan, Kurti veçohet nga të tjerët, por ky është një aspekt tjetër), as nuk përbën ndonjë të papritur, sepse në fund të fundit Kosova është Republikë Parlamentare.

Kjo do të thotë se Qeveria rri në pushtet politik, deri në momentin që ka mbështetjen në Parlament dhe jo për shkak të ndjesive në opinionin publik, etj. Pra, pavarësisht mekanizmave të ndryshëm të mocionit mosbesimit, nga Parlamenti ndaj Qeverisë, që janë të parashikuar, nga një Kushtetutë në tjetrën, në Republikën Parlamentare, Qeveria bie politikisht, në momentin që humb mbështetjen në Parlament.

Është e famshme ajo shprehja e Jean-Jacques Rousseau (Zhan Zhak Ruso, 1712-1778) ku thotë se shtetasit anglezë “janë të lirë vetëm në momentin kur votojnë për anëtarët e Parlamentit”.

Natyrisht, ky arsyetim i Rousseau është pak i tepruar, sepse ka rëndësinë e vet edhe opinioni publik dhe njëkohësisht anëtarët e Parlamentit kur zgjidhen, mendojnë edhe për rizgjedhjen, domethënë mendojnë edhe për zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, arsyetimi i Rousseau, edhe pse i ekzagjeruar, nuk është krejtësisht pa bazë, sepse së pari anëtari i Parlamentit në momentin që zgjidhet merr rolin e përfaqësuesit dhe së dyti përfaqësimi, anëtarit të Parlamentit, nuk mund t’i hiqet përpara mbarimit të mandatit, për periudhën e parashikuar nga Kushtetuta (për shembull katër vite).

Pra, në momentin që bëhen dhe mbarojnë zgjedhjet, kuptohet qartësisht se deri në zgjedhjet e ardhshme, Qeveria përgjigjet kryesisht (së pari) përpara Parlamentit. Si rrjedhojë, rrëzimi më 25 mars 2020 i qeverisë në Kosovë, në aspektin kushtetues, nuk përbën ndonjë risi apo diçka të paparashikuar (në aspektin e emergjencës shëndetësore e përmenda më sipër).

Njëkohësisht, duhet të kemi parasysh se edhe organizmi i votimit në Parlament është i drejtuar nga partitë. Unë e dëgjova një pjesë të fjalimit në Parlament, më 25 mars 2020, të z. Albin Kurti, i cili e paraqiti shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm të Kosovës Agim Veliu, më shumë si një konflikt mes qeverisë dhe ish-ministrit, sesa si një konflikt mes Lëvizjes Vetëvendosja dhe LDK.

Mirëpo, votim i djeshëm i mocionit të mosbesimit në Parlamentin e Kosovës, tregoi se konflikti, në tërësinë e tij, ishte më shumë një konflikt mes dy partive Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo zbulohet nga fakti, se më 25 mars 2020, shumica dërrmuese e deputetëve të LDK, votuan kundër Qeverisë së drejtuar nga Kurti. Pra, kjo tregon se Agim Veliu gëzon një mbështetje të madhe tek deputetët e LDK.

Nuk e dimë se përse Kurti vendosi ta shkarkojë ish-ministrin Agim Veliu, ndoshta ka menduar se shumica e deputetëve të LDK nuk do ta mbështesin ish-ministrin, ose ka menduar se gjithsesi e ka të pamundur të vazhdojë qeverisjen me ekuilibrat që ishin në Qeveri, ose ndoshta se ai parashikon se gjithsesi partitë opozitare nuk do arrijnë të formojnë një Qeveri të re dhe si rrjedhojë parashikon që partia e tij Lëvizja Vetëvendosja do të marrë më shumë deputetë, kur të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Megjithatë, një gjë dihet: Kosova rrezikon të vazhdojë të mos ketë një Qeveri të qëndrueshme dhe ky rrezik i jep mundësi Serbisë që ta shfrytëzojë si vegël, në arenën ndërkombëtare, për të argumentuar se shtetasit e Kosovës, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Parlament, nuk janë të aftë të kenë një Qeveri të qëndrueshme (një vegël jo e vogël).

Vladimir Kola është i doktoruar në të Drejtën Kushtetuese dhe Publike në “La Sapienza” të Romës.