“Sot Ora 13:30!”/ A do të rrëzohet krenaria e Partizanit në këmbët e lezhjanëve…

Gjëra të çuditshme po ndodhin në fushat e blerta shqiptare kohëve të fundit. Ekipi i Partizanit qyshkur filloi të drejtohej nga Presidenti Olsi Rama, ka njohur një rritje të frikshme në bilancet e viteve të fundit.

Një ekip që u kthye në kryefjalën e emisioneve sportive, fitoi shumë, humbi pak dhe mori fronin e më të mirave të ekipeve shqiptare.

Me një impakt kaq të madh publik, një përndezje e gjithanshme e tifozerisë, dhe me pritshmëritë gjithnjë e në rritje, askush nuk mund ta mendonte se krenaria e Partizanit do të rrëzohej në këmbët e lezhjanëve të Beslidhjes duke u shkërmoqur me rezultatin 3 – 0 në Lezhë.

Sot në ora 13:30 në Elbasan Arena luhet akti i dytë i eliminimit për Kupën e Shqipërisë, Besëlidhja e cila i ka shkaktuar 3 plagë të rënda Partizanit i duhet vetëm të fitojë kohë që kundërshtarit t’i shuhet edhe shpresa e fundit, ndërsa Partizani i nënshtruar, i rrëzuar, dhe i pamundur pret një mrekulli, nga ato që vetëm në sport mund të ndodhin, që të mos i shuhet emri nga gara për Kupën.

Kjo do të jetë patjetër një ndeshje me shumë interes, pasi të gjithëve u pëlqen ajo skena kur një mbret rrëzohet nga froni, por gjithashtu pëlqehet edhe ai momenti tjetër, kur një ekip i zënë ngusht nga rezultati, duhet të prodhojë mrekullinë që të shpëtojë.

Sot, që të dyja variantet janë të mundshme, ndaj shumë sportdashës lezhjanë janë nisur për në Elbasan, që të mbështesin ekipin e qytetit por edhe ta shijojnë fitoren live.

Forca Beslidhja!