Shtohen grupet e verifikimit në Lezhë, QOEL: 55 pallate të dëmtuara, 1186 apart., mbi 190 shtëpi

Janë shtuar 13 grupe verifikimi të dëmeve në banesat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Lezhë. Kështu ka deklaruar mbrëmjen e sotme, Etjen Xhafa përfaqësues i komitetit ndërministror, Qendra Operacionale Lezhë, i cili ka dhënë informacion për situatën në qarkun e Lezhës dhe punën që po bëhet për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit.

“Kemi vendosur të kemi një rritjeve të grupeve të verifikimit në terren nga 11 të cilët kanë qenë duke punuar në ditët e fundit, 6 grupe në bashkinë Kurbin dhe 5 në Lezhë, kemi shtuar edhe 13 grupe të reja nga sot të cilët kanë ardhur me ndihmën e qarqeve Shkodër, Kukës dhe Dibër. Nga nesër do vijojë verifikimi i plotë i të gjithë pallateve të cilët kanë pasur dëme gjatë këtyre ditëve por nga nesër do të vijojmë edhe me verifikimin e dëmeve në shtëpitë individuale”, deklaroi Xhafa.

Ai tha më tej se deri më sot nga verifikimet rezulton se janë 55 pallate të dëmtuara, 1186 apartamente, 13 institucione publike dhe mbi 190 shtëpi.

“1300 persona janë aktualisht të akomoduara në hotele dhe ne jemi duke punuar për të mundësuar lëvizjen e disa prej tyre dhe personave të tjerë të cilët mund të kenë nevojë për t’u evakuuar në banesa me qira. Sot kemi pasur kontrolle mjekësore të imtësishme edhe të personave që nuk kanë qenë në hotele por edhe rikthim të grupeve mjekësore në hotelet ku janë aktualisht qytetarët. Jemi duke marrë masa për pajisje me mjete shtesë.
Aktualisht kemi marrë disa akte ekspertize nga Instituti dhe jemi duke pritur që të kemi një peizazh sa më të gjerë dhe më pas për të mbledhur këshillat bashkiakë për të marrë vendimet individuale për shembjen e objekteve”, tha ai.

Xhafa sqaroi se nuk ka mbaruar verifikimi i plotë i pallateve dhe se pritet që nesër të përfundojë në Laç, për t’u përqendruar më pas në Lezhë. “Janë verifikuar më shumë se gjysma e pallateve në Laç, është evidentuar një pallat i dëmtuar në Mirditë dhe grupet janë duke vijuar punën në terren në Lezhë.

Synimi ynë është që deri nesër të mbarojmë punë me të gjithë pjesën e pallateve të dëmtuara rëndë në Laç dhe pastaj të rialokohemi të gjithë në Lezhë për të parë dëmtimet”, deklaroi Xhafa.