Shoqata e Qarqeve të Shqipërisë takim në Lezhë, nismat qytetare mbështeten me ligj

Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë në kuadër të implementimit të Projektit “Bashki të Forta”, zhvilloi takimin me Sekretarë të Këshillave Bashkiak të Bashkisë Lezhë, Mirditë e Kurbin, të Këshillit të Qarkut Lezhë, me anëtarë të Komisioneve të përhershme të Këshillave Bashkiakë, si dhe me përfaqësues nga Institucioni i Prefektit i qarkut Lezhë.

Ky trajnim u zhvillua pas atij për hartimin e Rregulloreve e Brendshme për funksionimin e këshillave bashkiak ku u përcaktuan qartë aspektet e Ligjit organik Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Tashmë të tre Bashkitë e qarkut Lezhë e kanë të miratuar kuadrin rregullator të funksionimit të Keshillave vendorë në organin e tyre legjislativ.

Në këtë trajnim u përcaktuan modalitetet për implementimin e rregulloreve për ankesat, vërejtjet, kërkesat, peticionet e nismat qytetare.

“Këshilltarët bashkiakë janë zëri dhe sytë e qytetarëve për të përcjellë nevojat e tyre tek administratat bashkiake”, është shprehur Kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, z.Eduard Ndreca, nën kujdesin e të cilit, u zhvillua ky takim në rang Qarku.