Shkoni vetë, përpara se t’ju vijë me urdhër!

Faqja Zyrtare e Postës Shqiptare ka dedikuar një hapësirë ditën e sotme posaçërisht për Postën e Lezhës.

Kjo e fundit, ditën e sotme, ka kryer një fushatë sensibilizuese duke shkuar biznes-më-biznes për t’u thënë se detyrimet e tyre ndaj shtetit, tatimet pra, mund t’i kryejnë edhe pranë sporteleve të postës, me çmim më të lirë dhe pa pritur radhën e gjatë e të trishtë në nëpër banka.

Kanë qënë vetë punonjësit e të tria degëve të Filialit të Postës Lezhë, në Laç e Rrëshen që janë ndalur nëpër biznese të ndryshme për t’i sensibilizuar ato.

Ndërkohë, drejtuesi i këtij institucioni Z. Pjerin Çuku shprehet se fushata sensibilizuese po shtrihet edhe më tej, duke sensibilizuar jo vetëm bizneset dhe titullarët e tyre, por edhe kontabilistët që mbajnë llogaritë e tyre, pasi janë këta të fundit që në pjesën dërrmuese të rasteve kryejnë procedurat bankë-tatime për bizneset të cilave u mbajnë llogaritë.

Posta Shqiptare çdo ditë e më shumë po merr konturet e një aktori protagonist në tregun financiar, duke u afruar gjithnjë e më shumë me modelin e përtejkufirit, ku të gjitha rrugët të çojnë në postë.

Pra, në shumicën e vendeve të përparuara, posta është ndalesa e vetme dhe universale për çdo qytetar për kryerjen e çfarëdolloj shërbimi.

Në këtë trend, pak nga pak po ecën edhe Posta Shqiptare, dhe nuk do jetë e largët dita kur të gjitha llojet e pagesave do të kryhen nëpërmjet saj, në fillim me dëshirë, pastaj me urdhër, sepse nuk do të ketë opsion tjetër më të mirë, si për shtetin ashtu edhe për qytetarin.