Shënkolli U17 të papërmbajtshëm! Nesër ‘lajnë hesapet’ me Tiranën për titullin kampion!

Mund të ishte Skëndërbeu, Flamurtari, Partizani, Vllaznia apo ekipe të tjera me emër dhe histori mbi supe, por jo… përballë Tiranës nesër do të jetë Shënkolli, dhe këta të rinj do të futen me autoritetin e fituesit në fushë, sepse e meritojnë, sepse trajektorja e rezultateve të tyre thotë vetëm triumf.

Ata janë të papërmbajtshëm, të furtunshëm dhe të uritur për trofe, Tirana do të jetë viktima e tyre e radhës nesër. Ata pasojnë shpejt, gjuajnë me preçizion dhe brohorimat e tifozerisë së Shënkollit nga shkallët e stadiumit do t’jua shtojnë njëqindfish grintën këtyre djemve.

Një ekip i vogël dhe pa shumë emër, por me shumë dëshirë, grintë e përkushtim nesër do të kërkojë të shkruajë historinë. E kemi fjalën për ekipin lezhjanë Shënkolli U17 që do të diskutojë finalen për titullin kampion përballë Tiranës me shumë emër. Megjithatë për lezhjanët emri i kundërshtarit nuk ka shumë rëndësi.

Ata janë të vendosur për të shkruar historinë e tyre. Një vendosmëri që e kanë marrë nga trajneri që i stërvit, i mirënjohuri Dritan Smajli, ish- futbollisti i njohur i Besëlidhjes vite më parë dhe i shumë skuadrave elitare në futbollin shqiptarë. Në fakt kemi të bëjmë me një ekip i cili ka gjashtë vite që funksionon dhe spikat, më parë me emrin “Porto” dhe tashmë pas bashkimit me FK Shënkolli, luajnë me emrin e këtij të fundit.

Ata janë kampionë që në moshën 15 vjeçare dhe duke humbur me akademinë e futbollit Tirana në gjysëm finale për kampion shqipërie dhe përsëri po tregojne se janë shpresa e brezit të artë të Lezhës në futboll.

Të drejtuar fillimisht nga Leonard Perloshi e më pas Klajti Reçi dhe Hasan Hoxha ku u shpallën dhe kampion, sot nga ish mbrojtësi lezhjanë Dritan Smajli, ekipi ka 4 vite që triumfon në futbollin e moshave por ecuria e këtij viti është vërtetë mbresëlënëse.

“Jemi në finale për titullin kampion i Shqipërisë dhe padyshim që kjo është një arritje e madhe sepse kemi lënë pas ekipe me emër të madh në futbollin shqiptar si Skenderbeu, Flamurtari, Vllaznia, Partizanin etj etj.

Stafi drejtues është përkushtuar duke e ditur se është një shpresë për qënë një brez i artë për futbollin lezhjanë nesër. Shpresojmë tek fitorja për shumë arsye dhe presim që lezhjanët të kthejnë vemendjen tek grupmoshat për t’i mbështetur.

Ekipi po mundohet të jetë i qetë dhe po qendron i grumbulluar në Shengjin, por sidoqoftë finalja ka presionin e vet dhe normalisht kundërshtari është një klub me emër. Klubi ka punuar gjatë gjithë vitit për rritjen e cilësisë së lojtarëve dhe në këtë finale ka vendosur edhe autobuza falas dhe ka organizuar në bashkëpunim me sportdashësit lezhjanë një koreografi tifozash nesër përballë fanatiksave”- thotë trajneri Dritan Smajli.

FK Shenkolli do të synojë nesër të shkruaj emrin e saj në historinë e futbollit shqiptarë, por kërkon edhe mbështetjen e tifozerisë nesër në shkallët e stadiumit Selman Stermasi në kryeqytet me synimin për të ngritur nje trofe të rëndësishëm.