Shënkolli tentoi të luante kundër 12 lojtarëve, por kavajsit shfrytëzuan momentin…

Pasditen e sotme u zhvillua ndeshja e kampionatit Shenkolli – Besa.

Ne fillim të lojës te dyja skuadrat u treguan neutrale dhe jo kërcënuese për portën e kundërshtarit, por nuk ka vonuar shumë që të spikasnin diferencat ndërmjet dy ekipeve.

Ekipi i Besës shfrytëzoi që në fillim faktin se ata kishin një epërsi në shtatlartësi krahasuar me ekipin e Shenkollit.

Per rrjedhojë kavajsit luajtën shumë me topa të gjatë dhe krosime të shumta në zonën e Shënkollit.

Nga ana tjetër, për shkak të kësaj taktike loje të Besës, mbrojtësi i Shënkollit me numrin 42 në shpinë, Sadush Dani, pati edhe ngarkesën më të madhe mbi shpatulla, i cili, dukshëm, më shtatlarti në ekipin e tij, u kthye në ‘One Man Match’.

Besa gjithashtu tregoi më shumë qëndrueshmëri në ndërtimin e aksioneve, ndërsa në rastin e Shënkollit mund të thuhet pa dyshim se kundërsulmi rezultoi një nga epërsitë të cilat fatkeqsisht nuk i shfrytëzoi siç duhet… dy herë, dhe që të dyja rastet, për shkak të kundërsulmeve të rrufeshme të Shënkollit, sulmuesi me numrin 35, Diego Zhuga u gjend i vetëm përballë portës kundërshtare, ku në njërin rast goditi traversën dhe në tjetrin rezultoi goditje e pasaktë.

Tjetër fakt që u zbulua dukshëm në ndeshje ishte edhe aftësia e jashtëzakonshme e lojtarëve të Besës për të stimuluar dhe mashtruar arbitrin, gjë e cila nuk mund të thuhet për Shënkollin. A vjen kjo për shkak të mungesës së trajnimit? Apo sepse Shënkolli nuk e aplikon këtë standart? Kjo merr diskutim të gjatë…

Gjithashtu, në aspektin psikologjik, u dëshmua qartazi se ekipi i Besës qëndroi më lart, lojtarët me njëri-tjetrin në fushën e blertë kishin një sistem të mirfilltë suporti psikologjik për shokun. E thënë troç: ata (Besa) i ‘jepnin zemër’ dhe kurajim njëri-tjetrit gjatë lojës, dhe një gjë e tillë, nuk ndodhte asfare midis lojtarëve të Shënkollit, përjashto dy apo tre raste inkurajimi që erdhën vetëm nga Sadush Dani për shokët e ekipit.

Edhe pse ekipi i Besës luajti mirë, nuk e ndjeu trysninë e fushës kundërshtare, ishin më shtatlartë, dhe më të fuqishëm psikologjikisht, prap se prapë, humbja e Shënkollit, nuk erdhi për shkak të asnjërës prej këtyre.

Në gjysmën e pjesës së dytë Shënkolli po ndërtonte një kundërsulm vrastar, që i zuri kavajsit në befasi, por arbitri i ndeshjes, sinjalizoi pozicion jashtëloje i diktuar nga flamuri i ngritur i vijërojtësit.

Në fakt, edhe për syrin e pa-stërvitur, ky ishte një gabim fatal i arbitrit, pasi aty e panë i madh e i vogël se gjithçka ishte e rregullt, por arbitri vendosi të bëhej lojtari i 12-të i Besës, duke anulluar aksionin. Kjo solli zemëratë e tërbim në ekipin dhe pankinën e Shënkollit, dhe ishte pikërisht ky moment dobësie psikologjike, ky moment i vogël hutimi apo mjegullnaje për shkak të zemërimit i cili bëri që mbrojtja e Shënkollit të kapej në befasi nga kavajsit të cilët e shfrytëzuan ‘tymnajën’ e krijuar me shumë dinakëri duke shënuar golin e vetëm dhe të fitores në këtë takim.

Pjesa e mbetur e lojës, pas shënimit të golit, nuk ishte tjetër veçse një festival sharjesh në drejtim të arbitrit të ndeshjes që vinin në 360 gradë prej të gjitha drejtimeve rreth fushës. Kjo për shkak se gjykimi i tij ishte qartazi i njëanshëm, dhe këtë e dëshmonin vetë lojtarët e Besës të cilët qeshnin fshehurazi me njëri-tjetrin sa herë që arbitri ndëshkonte Shënkollin.