Shëngjini i pastër xixë! Argëtim dhe hapje sezoni me marsh të rëndë në Lezhë

Që rëra e plazhit është një eksfoliant natyror e cila përmirëson gjendjen e lëkurës tonë, e që ecja në rërë i sjell dobi shëndetit tonë mendor dhe ka efekt relaksues është fakt shkencor… por ç’e do kur rëra e plazhit është e pisët?

Që tingulli i valëve të detit sjell qetësi dhe paqe të brendshme, që forcon e shëron trurin e gjithashtu na përcjell në një gjendje meditative, edhe ky është fakt shkencor… por ç’e do tingullin e valëve të detit kur 20 metra më tutje punohet me matrapik?

Ndërsa për të parat ka folur shkenca, për të dytat kanë folur Kryetari dhe nënkryetari i Bashkisë Lezhë.

Ndreu ka postuar fotot me rërën përgjatë bregut të Shëngjit të pastruar xixë, ndërsa nënkryetari Pacaj në një video të shpërndarë për mediat pohon se do të garantohet qetësia përgjatë gjithë sezonit.

Pacaj shtoi se garancia për këtë është ndalimi i qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë, si dhe mbyllja e të gjitha kantiereve të ndërtimit. Bashkia Lezhë gjatë këtyre javëve, nëpërmjet drejtorive të saj ka kryer aksione të kombinuara me synimin që bregdeti i Shëngjinit të jetë në lartësinë e ofertës turistike.

Pacaj ftoi pushuesit në Lezhë, pasi është i vetmi qytet që i ofron të gjitha. Malin. Detin. Historinë. Kuzhinën. Relaksin.

Pa harruar edhe argëtimin, i cili do t’ia nisë me marsh të rëndë në Shëngjin pas konfirmimit të Edicionit të Dytë të UNUM Festival nga përfaqësuesit zyrtarë, ministri Klosi, dhe kryebashkiaku Ndreu.