Shëngjini bëhet xixë, Bashkia Lezhë pranon sfidën e vështirë…

Ditëve të Shëngjinit me brezin e rërës të ndotur, trotuaret tullëshkulur, pemët gjethekalbura, dhe të teneqeve vijëkufizuese po u vjen fundi.

Ky është sezoni i parë që administrata e re e Bashkisë Lezhë ka përgjegjësinë ta përgatisë dhe duket qartë që fokusi tek pastërtia dhe estetika urbane nga ana e drejtuesëve lokalë është i pandarë.

Bashkia Lezhë gjatë këtyre javëve, nëpërmjet drejtorive të saj ka kryer aksione të kombinuara me synimin që bregdeti i Shëngjinit të jetë në lartësinë e ofertës turistike.

Nuk dihet akoma se kur do të kryhet hapja e plotë e kufijve, kur do të fillojnë fluturimet, një paqartësi që vret kjo, por që nga ana tjetër të shtyn të mendosh se Kampionati i Turizmit këtë vit do të luhet me një konkurrencë të madhe vendase, ku aktorët kryesorë, Saranda, Vlora, Durrësi, Lezha do të duhet të përdorin të gjitha forcat e tyre tërheqëse për t’i orientuar pushuesit vendas pranë brigjeve të tyre.

Padiskutim që, pastërtia dhe estetika urbane janë faktorë vendimtarë për një qytet i cili mbështetet tek turizmi, por beteja për pastërti me anë të aksioneve të pastrimit është fundja vetëm një betejë, e cila, nuk garanton fitoren përfundimtare, pasi pa-pastërtia e vërtetë, ajo që nxin më shumë, nuk është ajo e fillim-sezonit, por ajo e përgjatë-sezonit turistik, dhe në këtë fazë, më shumë sesa aksionet, efektin më të madh e jep edukimi, ndërgjegjësimi, ndjesia e respektit kolektiv për ambjentin, dhe së fundmi mbase edhe ndëshkimet me gjoba.

Pra, Bashkia Lezhë i ka hyrë një beteje e cila fitohet thjeshtë në minutat e para, por bëhet e vështirë dhe sfiduese atëherë kur “armiqtë e ambjentit” sa vijnë e bëhen më të shumtë në numër, dhe kjo është faza kur menaxhimi e tregon zotësinë e tij. Deri atëherë nuk mbetet tjetër veçse të presim, dhe të bëjmë tonën, të paktën vetë ne të Lezhës, të japim shembullin e duhur.