Shembja e një simboli, dhe çfarë parashikoi Aurel Plasari

“Teatrin e shqyen, nuk e shembën”, shprehet i përlotur aktori Mehdi Malka.

Autobotët me ujë, në këto momente, po shuajnë pluhurin e asaj që për më shumë se dy vite u bë simbol i qëndresës dhe i kundërshtimit të paligjshmërisë, i mbrojtjes së trashëgimisë historike kombëtare, dhe së fundmi edhe i parimeve të demokracisë.

Ndodhi ashtu siç e parashikoi Aurel Plasari, i cili, për analogji historike solli rastin e Kishës në Vau të Dejës e cila tashmë gjendet vetëm në hologramën e kartmonedhës 1 mijë lekëshe.

Për aktorët, për qytetarët, për aktivistët dhe për të gjithë ata që për më shumë se dy vite u përpoqën ta mbanin gjallë ëndrrën për restaurimin e teatrit ashtu siç ishte ose për ndërtimin e një të riu në një vend tjetër, ëndrra e tyre u shemb në orët e para të mëngjësit të sotëm.

Europa Nostra, e cila lëshoi alarmin duke e listuar Teatrin Kombëtar të parin e objekteve më të rrezikuara si dhe garantoi gjetjen e fondeve për restaurimin e plotë të tij, sot, kjo organizatë europiane, në sytë e qytetarëve duket po aq e pushtetshme sa ç’duket një aktivist që u tërhoq zvarrë nga forcat e policisë.

Teatri pra, ai që mori simbolikën e Katedrales së Demokracisë në Shqipëri, u bë pluhur.

Koha mbase do të zbulojë nëse kjo ishte një kauzë me të vërtetë e ndershme dhe e sinqertë, apo me dëshirën ose mosdeshirën e tyre përfundoi në tryezën e pazareve politike, gjë e cila, edhe kjo, do të shihet më qartë, pas një viti ndoshta, kur koha t’i pastrojë sytë tanë nga pluhuri i kaosit të anarkisë mediatike.

Tashmë, nuk na mbetet tjetër që ashtu si për Kishën e hershme që u shëmb, edhe për teatrin urojmë ta shohim në rastin më të mirë hologramë tek ndonjëra prej kartmonedhave të emetuara, ose në rastin më të keq, tek pullat postare.