Sandër Lleshaj sjell zviceranët në Lezhë, i falenderon dhe i fton për mundësi të reja

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Z. Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim ditën e sotme në Lezhë sëbashku me Ambasadorin zviceran Z. Adrian Maître në praninë edhe të autoriteteve e drejtuesve lokalë.

Zvicra dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të forta e të suksesshme prej më shumë se një çerekshekulli. Prej 1992 bashkëpunimi Shqipëri-Zvicër është rritur dhe Zvicra aktualisht është një nga partnerët dypalësh më të mëdhenj për zhvillim.

E thënë shkurt, Zvicra ka 28 vite që i jep franga Shqipërisë, dhe vijon ta bëjë.

Ministri Lleshaj e nënvizoi rëndësinë e këtij partneriteti, e falenderoi ambasadorin Maître në emër të Qeverisë Shqiptare dhe i garantoi ata se Lezha është akoma për t’u zbuluar në lidhje me potencialin e shumëfishtë që ajo ka për zhvillin në disa sektorë kyç që janë turizmi, kulinaria, dhe industria.

Ministri Lleshaj është një ndër figurat më të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare. Përpara se të merrte postin e Ministrit të Brendshëm ai ishte këshilltar për Sigurinë Kombëtare i kryeministrit Rama, dhe siç kuptohet nga zhvillimet në vend, ai është tashmë përveçse Ministër, në njëfarë mënyre, edhe Kryeministri i Veriut të vendit, nëse mund ta frazojmë kështu.

Prezenca dhe vëmendja e tij, për Lezhën në veçanti, ka ardhur gjithnjë në rritje, dhe po aq e vërtetë është se edhe institucionet e organizmat qeveritar nuk vazhdojnë të kenë atë qasjen “apatike” të dikurshme ndaj Lezhës, por prej më shumë se një viti Lezhës i kanë kaluar projekte zhvillimi, projekte pilote, dhe investime publike që mëparë dukeshin mirazh.

A ka ndikuar Z. Lleshaj në këtë qasje të re të Administratës Shtetërore ndaj Lezhës?

Këtë nuk mund ta themi ne, por do ta thotë koha…

Me Ambasadorin e Zvicrës vizituam Lezhën me qëllim nxitjen e projekteve të përbashkëta në këtë Bashki.

Për herë të parë në Shqipëri, do të zbatohet një projekt i ndarjes së ujërave të shiut nga ujërat e zeza, gjë që do të sjellë një standard europian në këtë fushë shumë sensitive dhe do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës dhe ato të turizmit.

Po ashtu, projektimi, ndërtimi dhe pajisja e një stacioni zjarrfikës sipas standardeve më të mira europiane do të jetë një objektiv i rëndësishëm.

Zbatimi i projekteve model, të cilat mund të ndiqen më tej dhe në bashki të tjera, shihet si një qasje me interes.

Faleminderit Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të shumanshme! 🇦🇱🤝🇨🇭