Salvador Kaçaj turbullon ujërat. Gara për Bashkinë Lezhë drejt temperaturës së vlimit…

Na ish krijuar përshtypja se e vetmja gjë që e ndante nga marrja e postit kandidatin e PS për Bashkinë e Lezhës Z. Pjerin Ndreu ishin vetëm 90 ditë kohë. Kjo për shkak se opozita ka vendosur me kokëfortësi politike të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, dhe se  kryeministri i vendit ka vendosur të mos bëjë asnjë lëshim.

Por jo.

Një tjetër emër është valëvitur në atmosferën politike të Lezhës sot, është Z. Salvador Kaçaj, i cili futet në garë për Bashkinë e Lezhës, me partinë më të re shqiptare, Bindja Demokratike.

Salvador Kaçaj, ish-futbollisti i kombëtares shqiptare të futbollit, ish-kryetar i komunës Shëngjin duket sikur ka vendosur se është pikërisht ky momenti për të synuar drejtimin e Bashkisë së Lezhës.

Entropia e sistemit ndryshon katërcipërisht me futjen e Kaçajt në garë, tashmë ujërat janë turbullar dhe gara për Bashkinë e Lezhës do të marrë një temperaturë të re.

Z. Salvador Kaçaj, rrjedh nga një familje e cila i ka dhënë një mbiemër të madh mbi supe për të mbajtur. Ai është Kaçaj pra, i të njëjtit damar gjaku me Lukën, me njeriun i cili e ngriti mbiemrin Kaçaj në majat e artit Europian.

Lukë Kaçaj me nusen e tij

I madhi Lukë Kaçaj, ose i quajtur ndryshe shaljapini shqiptar, vigani i pavdekshëm i operas botërore, njeriu që pushtoi skenat me kumbimin e zërit të tij, njeriu pra, që i dha aq shumë artit e që mori aq pak, për shkak se sigurimi i shtetit i asokohe e gjeti rrengun për ta thyer në mes një karrierë kaq vezulluese.

Për ata që nuk kanë dëgjuar për Lukë Kaçaj ose për ata që i ka marrë malli për ta dëgjuar zërin e tij, mjafton të ndiqni videon mëposhtë, dhe mënjeherë do ta njihni:

A do të jetë Salvador Kaçaj një tjetër emër i kësaj familjeje të cilës politika nuk do të mund t’ia kthejë kurrë atë që ia mori arti?

Kjo do të shihet me 30 qershor, deri atëherë ne i urojmë suksese dhe fushatë të mbarë kandidatit Salvador Kaçaj.