Rakaj jep shembullin personal, dhe na fton të gjithëve ta ndihmojmë këtë familje në Lezhë

Mjaftueshëm i kthjellët për të kuptuar se qëllimi i njeriut në jetë nuk është arritja e lumturisë së pakufishme as e pasurimit të pafundëm material, por diçka shumë më e thjeshtë, qëllimi i njeriut në jetë është të jetë i dobishëm.

“Të jesh i dobishëm për tjetrin, të gëzosh respektin e tyre, të kesh dhembshuri për të pamundurit, kjo është të jetosh, të jetosh mirë si njeri”, – thoshte Emerson.

Të qënurit i dobishëm rezulton të jetë – fatmirësisht – një detyrë jo dhe aq e ndërlikuar në ditët e sotme, mund të fillojë thjeshtë me një përgjigje dashamirëse në Whatsapp, një pranim ftese për t’u përfshirë në diçka, madje, një person të dobishëm mund të fillosh ta dallosh lehtësisht, kur e thërret në telefon, ata përgjigjen pothuajse gjithmonë, që në zilen e parë.

Është e habitshme si ia dalin të përgjigjen aq shpejt, sepse njeriu mund të jetë larg smartfonit, mund ta ketë në xhep, në makinë, në zyrë, në mbledhje, etj, por të përgjigjesh gjithnjë në zile të parë është një tregues i sinqertë (i pakundërshtueshëm) i atij që është gjithnjë në gatishmëri të ndihmojë tjetrin.

Nga ana tjetër, studime dhe statistika të ndryshme konstatojnë se sa më shumë zile të zgjasë thirrja juaj aq më të vogla shanset që të merrni ndihmën që po kërkoni. Një grup hulumtuesish nga Huston University, jo vetëm që e vërtetuan këtë, por shkuan edhe më tej: ata që vonojnë të përgjigjen, në shumicën e rasteve, e bëjnë këtë sepse ndërsa shohin ekranin e smartfonit janë duke menduar një justifikim për t’i bishtnuar ndihmës/dobisë që mund t’u kërkohet.

Një ndër të paktët persona, me të cilin na lidhte puna, edhe përpara se të bëhej Kryetar i Këshillit Bashkiak, e shfaqte këtë premisë të dobishmërisë. Tek e fundit, të përgjigjesh në telefon nuk është hataja, nuk është ndonjë stërmundim i ububushëm, por me siguri është, një hap i mirë për të filluar.

Jo pak herë e kemi gjetur afër personave në vështirësi jetese, në vështirësi për bukën e gojës, duke kontribuuar me aq sa kishte mundësi nga xhepi i tij, dhe përsëri, të gjitha këto, përpara se të bëhej Kryetar i Këshillit.

Z. Ernest Rakaj u ndje në siklet sot, dhe përpara se të flisnim ai e tha vetë i pari:

“Jam i ndërgjegjshëm” – tha ai, – “se kur të dalësh për bamirësi nuk duhet ta marrësh kamerën me vete, por te kjo familje kam ardhë disa herë, e nuk po ia dal dot i vetëm, familja Dizdari ka dëshpërimisht nevojë edhe për Ju. Por njëkohësisht, jam gjithashtu i ndërgjegjshëm se është e vështirë të gjesh dikë që të dhurojë 700 mijë lekë, por jo dhe aq e vështirë të gjesh 10 vetë që dhurojnë nga 70 mijë, apo 100 që japin nga nga 7000 mijë, kjo është shuma që kjo familje ka nevojë vetëm për të shlyer listën e borxhit nga dyqani i bukës.”

Familja Dizdari, në Ishull- Lezhë, jeton me vetëm 6 mijë lekë të reja kemp në muaj, qeranë e shtëpisë e mbulon Bashkia, dhe pa asnjë të ardhur tjetër 5 fëmijët e vegjël nuk e kanë provuar ndonjëherë jetesën normale. Pamjet flasin vetë!

Një vit e gjysëm mëparë babai i tyre u nda nga jeta për shkak të arrestit kardiak, duke e lënë familjen në qiell të hapur.

“Qëllimi i ardhjes time këtu, është që t’u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë sadopak mundësi, të japin një ndihmesë për këtë familje, janë vërtetë në nevojë. Por jo vetëm kaq, u bëj thirrje edhe atyre që s’kanë mundësi apo nuk i gjenden dot afër t’i thonë dikujt që e njohin që mundet. Hallin që s’ma zgjidh dot, të paktën ma qaj.”, – shprehet Rakaj.

Ne kemi vendosur t’i bashkohemi thirrjes së tij, por nuk do të postojmë këtu as numra llogarie, as numra telefoni. Adresën e familjes Dizdari e shfaqëm më lart, është shumë e thjeshtë për ta gjetur, e për të shkuar aty në vetë të parë.

Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë sinqerisht çdo përpjekje, jo vetëm të Z. Rakaj, por të çdokujt, që e gjen mënyrën për ta ndihmuar ose për t’i ardhur në dobi kësaj familjeje.