“Ra ky tërmet e u pamë”, pasgoditja e vërtetë do ndjehet në ekonomi

Nga Fatjon BUSHI, Kontabël i Miratuar, Vlerësues i Pasurive të Patundshme.

Tërmeti që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 Nëntorit, ishte më shkatërrimtari dhe me pasojat më të mëdha në jetë njerëzish në këto shekujt e fundit. Me 51 viktima dhe më një dëm ekonomik akoma të pa llogaritur saktë, kjo ngjarje ndryshoi njëherë e përgjithmonë shoqërinë tonë.

Gjatë këtyre ditëve post-traumatike, edhe pse aktiviteti sizmik i tërmetit ka rënë, për shoqërinë akoma nuk kanë ndaluar tronditjet…Shkundja nga termeti shkundi dhe një sistem të pluhërosur gjatë këtyre 30 viteve tranzicion.

Sektori i ndërtimit, i lindur dhe zhvilluar në një kaos total ligjor, e tregoi më në fund fytyren e vërtetë të tij. Një sistem krejtësisht i pabesueshem për ti besuar jeten. Kjo fatkeqësi vertetoi dhe njëherë atë që secili nga ne pranon çdo ditë në heshtje, që asnjë institucion nuk bën si duhet punën e tij, dhë si përfundim gjithmonë faji mbetet jetim.

Pasi bilanci për jetët e humbura u mbyll, një tjetër bilanc tragjik rrezikon vendin tonë. Vlera financiare e dëmit ekonomik, e cila pritet të jetë shumë e lartë për vende si i yni, do kërrusë supet e buxhetit të shtetit. Një buxhet i vjedhur prej 30 vitesh, ku në vitin më të ‘’mirë’’ të administrimit të saj, sipas KLSH, janë vjedhur 150-200 mln Euro, në kohën më të keqe për vendin, tregoi se nuk ka asnjë kapacitet për të mbuluar dëmët.

I dorëzuar përballë ngjarjes, shteti e vari ekzistencën e tij, në dëshirën e popujve miq për t’i ardhur në ndihmë. Mungesa serioze e kapacitetit ndërhyrës të shtetit me anë të mëkanizmave të saj, na bën të mendojmë në lidhje me efektet që do ketë në të ardhmen e afërt në ekonominë e vendit. Rënia drastike e konsumit si kundërveprim natyror post- traumatik, është një ndër faktorët më kryesorë për përkeqësimin e treguesve të rritjes ekonomike.

Rialokimi i fondeve të buxhetit, në funksion të përballimit të strehimit emergjent të pjesës së popullatës e cila ka humbur banesat, ka sjellë një përshtjellim të fokusit kryesor atë të mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave.

Shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme, ka krijuar instrumenta të reja ligjore që lejojnë ndërhyrjen në strukturen buxhetore, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshim të objektivave afatshkurtër të buxhetit.

Goditja e konsumit, e cila lidhet me faktorë psikologjikë të kërkesës, ka sjellë një ngecje të ekonomisë, e cila ndjehet në të gjithë sektorët influent. Mungesa e kërkesës, dhe orientimi i tregut drejt emergjencës, do sjellë një reduktim të ndjeshem të të ardhurave tatimore, dhe si pasojë një mungesë serioze të investimeve, dhe rritjes ekonomike.

Shifrat e para jo zyrtare, flasin për një dëm ekonomik që shkon minimalisht 500 mln Euro, shumë i rëndë për mundësitë e buxhetit të shtetit. Plani i ri-ndërtimit të zonave të dëmtuara, është bazuar kryesisht në solidaritetin e diasporës Shqiptare, si shpresa e vetme për një ndikim efektiv. Ky plan, i cili do marrë pjesën kryesore të fokusit buxhetor për vitin 2020, do ketë një impakt në ri-jetëzimin e sektorit të ndërtimit, i cili gjatë viteve të fundit ka pësuar një tkurrje të aktivitetit të saj. Efekti psikologjik që ka sjellë një rënie drastike të kërkesës për mallra dhe shërbime, do kompensohet në një pjesë të saj nga ky proces ri-ndërtimi.

Por, a mjafton vetem kjo ndërhyrje për shpëtimin e ekonomisë?

Duke gjykuar në tendencat e fundit që ka shfaqur buxheti i shtetit, ku një pjesë e madhe e saj shkon për financime kontratash koncesionare, të cilat në shumicën e rasteve as kanë filluar, bën të besojmë se ky fenomen sizmik shkatërrimtar, në një periudhë afat-shkurtër do arrije të shkatërroje dhe buxhetin vulnerabël të vendit tonë. Përballja me një rënie të theksuar të të ardhurave tatimore për vitin e ardhshem, do kërkoje një kujdes të shtuar në rialokimin e fondeve, në fushat më prioritare të ekonomisë.

Ngadalësimi i rritjes ekonomike, që do vije si pasoje e rënies së konsumit, do sjellë një zinxhir efektesh ekonomike negative. Mungesa e besimit në elementet e tregut të lirë, siç është dhe sektori abuziv i ndërtimit do ketë pasoja të ndjeshme. Ky sektor është i lidhur ngushtësisht me turizmin, i cili është dhe motori kryesor i ekonomisë tonë.

Referuar gjithë sinjaleve post-tërmet, një konkluzion i padeshiruar për secilin nga ne, është se ky tërmet ka goditur rëndë shoqërinë por edhe ekonominë e vendit tonë.

Shenim: Titulli i shkrimit eshte redaksional, titulli origjinal: Tërmeti që do të shkundë ekonominë.