Pushtohet hapësira ajrore e Lezhës, kontrolle natë e ditë!

©Lezha News ©Top Channel

Në takimin e organizuar me drejtuesit vendorë dhe qëndrorë të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm Z. Sandër Lleshaj ka kërkuar vëmendje të shtuar dhe efikasitet ndaj dy çështjeve veçanërisht të mprehta:

E para është ajo që lidhet me favorizimin e migracionit të paligjshëm, ku shtetasit të cilën kapen nga Policia e Shtetit duke e drejtuar këtë fluks të paligjshëm drejt kufijve të shtetit tonë, do të ndeshen me zero tolerancë nga ana e efektivëve e rendit.

E dyta është ajo që ka të bëjë me atë që prej vitesh në Shqipëri mbetet një betejë e hapur midis Policisë dhe kultivuesve të hashashit, por që në këtë tryezë ministri Lleshaj ka kërkuar intensifikim të operacioneve, pasi kjo është periudha më delikate në kalendarin e kultivuesve.

Prej disa ditësh, edhe në Lezhë gjithashtu, Policia e Shtetit ka kryer operacione të kombinuara të kontrollit të territorit, kjo dëshmohet thjesht përmes pamjeve të helikopterëve ushtarakë të pajisur me teknologji gjurmimi që gjarpërojnë papritmas në qiellin e Lezhës që monitorojnë nga ajri.

Mbrëmjen e djeshme dhe mëngjesin e sotëm, është vënë re siç edhe dëshmohet nga vetë dendësimi akustik prej pushtimit të të gjithë hapësirës ajrore të Lezhës, ç’ka tregon për një imtësim të filtrave të kontrollit nga Policia në këtë territor me helikopterë, dronë, dhe telerilevues.

Shtimi i teknologjisë moderne gjurmuese si dhe i mjeteve në dispozicion të Policisë së Shtetit, veçanërisht me pajisjet që mund të fotografojnë detajin më të vogël edhe në errësirë të plotë, e rrit zbulueshmërinë e zonave të kultivuara.

Një gjë është e sigurtë megjithatë, se Policia e Shtetit nuk e ka luksin që këto resurse t’i shpenzojë duke ushtruar kontrolle në zona për të cilat nuk ka tregues të qënësishëm. Çështjes sesa rezultative dhe të efektshme do të jenë këto operacione, do t’i japin përgjigje ditët në vijim.