Presidentja e Kosovës Znj. Vjosa Osmani ka vizituar ditën e sotme qytetin e Lezhës.
Duhet ta pranojmë që në krye të herës se në rendin e zakonshëm të gjërave, drejtuesit e lartë të institucioneve kosovare e kanë patur protokoll vizitën e tyre me autoritetet shqiptare në Tiranë, mirëpo sot, Presidentja Osmani i ka dhënë një përmasë jashtë të zakonshmes këtij protokolli.
Pas mikpritjes nga kryebashkiaku Ndreu, dhe autoritet më të larta lokale të Lezhës, kryetarja e shtetit fqinj shqiptar mësohet se ka kërkuar pikësëpari të vizitojë Memorialin e Heroit Kombëtar.
Me vizitën e saj zyrtare në Shqipëri, duke e vënë Lezhën në krye të punëve, ose më saktë, nderimet te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut është një gjest fisnik shtetëror që flet shumë.
Kryebashkiaku Ndreu në faqen e tij zyrtare ka shprehur mirënjohjen e tij, nderimin dhe privilegjin të presë Presidenten Osmani në Lezhë:
Statusi i Ndreut: Kisha nderin dhe privilegjin bashke me Prefektin e Qarkut Gjoke jaku sot, te prisja ne Bashkine Lezhe Presidenten ne detyre te Kosoves, zonjen Vjosa Osmani. I shpreha mirenjohjen, respektin dhe kenaqesine e vecante per viziten. Pastaj shoqerova Presidenten ne homazhet te vendvarrimi i heroit tone kombetar Gjergj Kastrioti!
Mediat kosovare e kanë publikur ndërkaq axhendën e plotë të vizitës tre ditore të zonjës Osmani në Shqipëri.
Të mërkurën (16 Dhjetor), në orën 13:30, u.d Presidentja do të bëjë nderime te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Lezhës.
Kurse, në orën 15:30, u.d Presidentja do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa, në orën 17:00, do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie. Të enjten (17 dhjetor), në orën 09:30 u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Ndërsa në orën 10:15, u.d. Presidentja do të bëjë nderime dhe vendos kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ndërkaq, në orën 12:30, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në orën 16:00, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Të premten (18 dhjetor), në orën 10:00, u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të Çelësit të Qytetit. Kurse, në orën 11:45, u.d Presidentja Osmani do të ketë takim me ish-Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.