“Portofoli me ngjyra i qeverisë”/ Shoqata e Bashkive u mblodh në Lezhë

Shoqata e Bashkive ka organizuar takimin e Komitetit Drejtues, nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Lezhë, z. Fran Frrokaj.

Komiteti Drejtues i Shoqatës, përbërë nga kryetarë të bashkive u mblodh për të diskutuar për çështje me interes të pushtetit vendor ashtu dhe për veprimtarinë e Shoqatës.

Tema kryesore e diskutimeve ishin sfidat më të cilat përballen bashkitë në ofrimin e shërbimeve në kushte të vështirësive financiare dhe të mbingarkesës së nevojave si pasojë e mungesës së mbështetjes së qeverisë.

Theksi u vu tek shpërndarja e një volumi mjaft të madh fondesh nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe Ministritë e ndryshme.

Kjo lë hapësira për subjektivizëm dhe diskriminim politik nga ana e qeverisë.

Ndryshimet e shumta ligjore që cënojnë drejtpërdrejt veprimtarinë e bashkive janë kryer pa konsultimin e nevojshëm dhe pa marrë në konsideratë nevojën për burime financiare dhe njerëzore të bashkive për ushtrimin e funksioneve të tyre.

Problematika e diskutuar lidhej dhe me situatën e ngritjes së kadastrës fiskale dhe rregullimit të taksës së pronës, diskutimet për ndryshime ligjore për emergjencat civile dhe policinë bashkiake.

Kryetari i Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj nënvizoi rëndësinë që ka unifikimi i shoqatave të bashkisë në një të vetme, në mënyrë që pushteti vendorë të jetë më unifikues sa i takon kompetencave dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Pjesëmarrës në takim ishte dhe Dr. Klaus Fiesinger, Drejtori Rajonal për Europën Juglindore i Fondacionit Hanns-Seidel për zyrat nëTiranë, Beograd, Sofie dhe Zagreb.

Fiesinger diskutoi me kryetarët mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e intergrimit të Shqipërisë dhe rolin e rëndësishëm të bashkive dhe të zgjedhurve vendorë në rajon dhe Shqipëri.

Klaus Fiesinger: Qeveria nuk duhet të bëjë dallime në ndarjen e fondeve, dhe hartimi i ligjeve për pushtetin vendor duhet të jetë serioz dhe pa lënie hapësirash për keq interpretim.