Policia e Lezhës kap në flagrancë gërryesin në Mat, gjobë edhe fabrikës peshkut!

Vijon operacioni për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Procedohet penalisht një tjetër shtetas, për përpunim të inerteve dhe gjobitet nga IKMT-ja me masë administrative.

Procedohet penalisht një 37-vjeçar dhe gjobitet, pasi shkarkonte mbetje në rrjetin e kanalizimeve të ujësjellësit.

Një ditë më parë u proceduan dhe u gjobitën edhe dy shtetas të tjerë, për gërryerje të shtratit të lumit Mat.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me IKMT-në, kanë vijuar kontrollin përgjatë shtratit të lumit Mat, ku gjatë kontrollit është kapur në flagrancë duke nxjerrë materiale inerte dhe është proceduar shtetasi D.B., 56 vjeç, banues në Kurbin.

IKMT e ka gjobitur shtetasin me masë administrative 2 milion lekë (të reja).

Gjithashtu, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin G.A., 37 vjeç, banues në Ishull Lezhë. Shërbimet e Policisë dhe IKMT-së, gjatë kontrollit konstatuan se fabrika e përpunimit të peshkut, shkarkonte mbetjet në rrjetin e kanalizimeve të ujësjellësit në Shëngjin.

IKMT-ja e ka gjobitur subjektin me masë administrative 500 mijë lekë (të reja) si dhe do të ndërpresë lidhjen me rrjetin e kanalizimeve.

Kontrollet do të vijojnë për penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumenjve apo që kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ambientit e lumenjve apo zjarrvënie të qëllimshme pyjeve dhe kullotave.