Policia e Lezhës bllokon eskavatorin që gërryente në lumin Mat

Sherbimet e Policisë në DVP Lezhë dhe të Komisariateve në varësi, kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Gjatë kontrolleve të imtësishme përgjatë shtratit të lumit Mat është evidentuar një subjekt që gërryente shtratin e lumit në mënyrë të paligjshme.

Procedohen penalisht administratori i subjektit, punëtori që gërryente me ekskavator dhe drejtuesi i kamionit që transportonte inertet.

Bllokohen mjetet e rënda ekskavatorë që shërbenin për të gërryer shtratin e lumit Mat dhe kamion me inerte.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, kanë ushtruar kontrolle përgjatë shtratit të lumit Mat, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit, duke marrë zhavorr e inerte në mënyrë të paligjshme.

Gjatë kontrollit u kap në flagrancë dhe u procedua penalisht shtetasi F. F., 35 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë, përfaqësuesi i subjektit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorim i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjatë kontrollit u kap dhe u procedua penalisht edhe shtetasi A. M., 53 vjeç, banues në Krujë, pasi në fshatin Gurëz, Kurbin, u kap duke gërryer, duke grumbulluar dhe duke marrë zhavorr në shtratin e lumit Mat.

Gjithashtu u procedua penalisht edhe shtetasi Gj. M., 51 vjeç, banues në Mamurras, drejtuesi i mjetit kamion që shërbente për transportin e inerteve pa faturë tatimore, i cili u sekuestrua nga shërbimet e Policisë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorim i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim.

Strukturat vendore të Policisë Lezhë janë të angazhuara maksimalisht për evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Kontrollet do të vijojnë për evidentimin dhe penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumit Mat apo që kryen krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ambientit dhe lumenjve apo zjarrvënie të qëllimshme në pyje dhe kullota.