Po kërkojnë mbështetje nga Don Kishoti… kryebashkiaku i Lezhës më thumbues se kurrë!

Pa emra. Jo drejtpërdrejtë. Vetëm me metaforë. Artin e “thumbimit” të kundërshtarit pa i dhënë as të drejtën e replikës atij, kryebashkiaku Ndreu e ka mjeshtruar përgjatë përvojës së tij disavjeçare parlamentare.

Këtë art ai nuk ia ka përtuar ta ushtrojë ditën e sotme me anë të një statusi në faqen e tij zyrtare, ku me nëntekst, ka ironizuar deklaratat e PD Lezhë në lidhje me një rikthim për gjykim të çështjes së parregullsive në procesin e votimit të 30 Qershorit, pranë Prokurorisë së Lezhës.

Ndreu e ka evituar me stil referimin direkt me “Don Kishoti” apo “Mullinjtë e Erës”, duke i fshehur me nëntekst këto tek togëfjalëshi “triumf imagjinar”.

Pra, e tjerrur më hollë, Ndreu po thotë se “PD Lezhë po kërkon ndihmën e Don Kishotit për të inspiruar elektoratin me triumfe imagjinare.”

Në këtë mënyrë, kryebashkiaku Ndreu, me një paragraf me tre rreshta, ka sqaruar se disa në PD-në e Lezhë vijojnë të ëndërrojnë me sy hapur.

“Shihemi në 2023”, e përfundon reagimin e tij Ndreu.