Po dëgjohen daullet e fitores në Lezhë…

Akademia Shënkolli do ta parkojë e para autobuzin pranë stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja gjysëmfinale për Kupën e Shqipërisë.

Djemtë e U17 dhe U19 ditën e djeshme zbritën përsëri në fushë dhe kanë shkatërruar gjithçka u doli përpara.

Këta djem janë ekzekutues të vërtetë, duket sikur mendja e tyre nuk e përpunon dot dështimin, ata njohin vetëm fitoren, në fushë s’kanë asnjë emocion, janë të pamëshirshëm, të ftohtë si guri, dhe kjo e tmerron kundërshtarin.

Kjo lëvizje e koordinuar e trupave, e shpejtë dhe e beftë, duket sikur ia bën të ditur çdo kundërshtari se këta djem do ta marrin fitoren dhe nuk pranojnë asgjë tjetër në këmbim.

Të arrish në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë nuk është si të tregosh barcaleta, dhe për më tepër, kur një Akademi e Re e futbollit, i detyron fanelat e vjetra të historisë së futbollit shqiptar si Tirana, Partizani, Dinamo apo Vllaznia të shtrëngohen që të bëjnë vend për Akademinë e Shënkollit midis tyre.

Litari sa vjen e shtrëngohet në fytin e tyre, sepse ditën e nesërme hidhet shorti, dhe asnjëra prej nuk e dëshiron përballjen me Shënkollin.

Tashmë e kanë të qartë se përballja me Shënkollin i ngjan një dyluftimi që zhvillohet në një rrafshnaltë të rrethuar nga humnera, dhe një gabim sado i vogël, një rreshqitje, një spërdredhje trupi padashje, një ngatërrim pasimi, apo mos mbyllja e një korridori të ngushtë, do t’i çojë, pa më të voglin dyshim, drejt e në ferr.