Plasin gjobat te rrethrrotullimi në Lezhë, drejtuesit parkojnë gabim për inerci!

Rrethrrotullimi në qendër të Lezhës vijon në etapën tjetër të plotësimit të tij. Ditën e sotme punonjësit e Bashkisë Lezhës kanë hequr veshjen rrethuese të sigurimit teknik dhe kanë shkarkuar elementët e bordurës së brëndshme, duke krijuar kështu një lirshmëri të konsiderueshme në qarkullim.

Siç kuptohet, edhe nga ritmet e punonjësve, Bashkia Lezhë e ka synim që brenda këtij viti ky rrethrrotullim me shumë gjasa të përfundohet plotësisht.

Por përtej ndërtimit të tij, ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve është një gabim në parkim që drejtuesit e automjeteve vijojnë ta bëjnë e të penalizohen për shkak të inercisë së tyre për të parkuar në zonën që tashmë Bashkia Lezhë e ka hequr.

Drejtuesit e automjeteve siç duket nuk janë sensibilizuar akoma, dhe vijojnë të parkojnë në hapësirën që nuk vazhdon të jetë parkim. Dhe po, efektivët e policisë rrugore e monitorojnë non-stop zonën dhe ka gjasë t’u mbarohen blloqet e gjobave, për shkak të dendësisë së shkeljeve që gjejnë çdo ditë aty.

Nëse dëshironi të shmangni një gjobë të sigurtë, do të ishte një ide e mirë të mos parkonit në hapësirën përqark rrethrrotullimit.