Përmirësohet situata në Lezhë, bie niveli kritik në argjinatura

Në normalitetin e saj, Lezha gjatë vitit ka 95 ditë me reshje ndërsa dielli mbizotëron në rreth 270 ditë të vitit. Periudha tetor–prill është më e pasura me reshje, me rreth 1700 mm në vit. 1 mm reshje nënkupton 1 litër për metër katror.

Nuk është e nevojshme të mbarosh për gjeoshkenca për të gjetur se 1700 pjesëtuar me 95 na jep 17,8 (e rrumbullakosur 18 mm) reshje në ditë në shpërndarje mesatare, pra në Lezhë kemi mesatarisht 18 milimetër reshje në ditë, në rendin normal të gjërave.

Vetëm në dy ditët e fundit janë regjistruar në Lezhë 121 milimetër reshje, pra gjashtëfish e kusur kaluar mesatares normale.

Matematika nuk është opinion. Situata ka qënë e jashtëzakonshme, këtë e konfirmon edhe kokëfortësia e shifrave. Gjithashtu nga ana tjetër dihet se asnjë Bashki në botë nuk nënshkruan ndonjë kontratë me retë, që të dakordësojë nivelin e reshjeve.

Ajo që Bashkia ka për detyrë është të ndërtojë e të mirëmbajë një sistem kullimi të shpejtë, një sistem i cili, ashtu siç një lavaman, ka një kapacitet të tijin që të paktën të kullojë me shpejtësi dyfishin e mesatares normale.

Por kur në lavaman hedhim ujë me kova sigurisht që do të pëmbytet, edhe sikur t’i ketë të gjithë tubacionet të reja. Padashur të shkojmë më tej me teknikalitetet, askush nuk mund të hedhë poshtë atë që kemi parë me sytë tanë, gjatë gjithë vitit, pastrime kanalesh të dyta e të treta pa pushim, sidomos në Zadrimë.

Nëse këto reshje do të vinin dhe do ta gjenin “lavamanin e bllokuar”, atëherë tërbimi i natyrës do të kishte patur pasoja të rënda në materiale, toka e bagëti, e larg qoftë në njerëz.

Reshjet të tilla, në kaq bollshmëri, në Lezhë, vijnë çdo 10 apo 15 vjet, kujtojmë këtu 2010, apo 2002-shin. Kjo 2021 duket dhe shpresojmë të kalohet pa shkaktuar një kosto të rëndë në asnjë familje, kudoqoftë banesa e tij.

A e dinte Drejtoria e Bujqësisë që në korrik 2020 se do të ketë reshje kaq të dendura në janar 2021?

Sigurisht që s’kishte sesi ta dinte. Ajo që dinin megjithatë është se ishte puna dhe detyra e tyre t’i pastronin e mirëmbanin ato kanale të bllokuara, ashtu siç një zonjë shtëpie e di që një lavaman i bllokuar nuk mund të qëndrojë ashtu, (të paktën për të mirën e dyshemesë.)

Përfytyroni sikur gjithë kjo denduri reshjesh Janari ta gjente Lezhën me “lavaman të bllokuar”…?