Përmbytja e Lezhës dhe bllofi fotografik që nuk i shpëtoi Kryebashkiakut Ndreu

Ndërkohë që administrata aktuale e Bashkisë Lezhë nuk mund të fajësohet për përmbytjen e të gjithave rrugëve e rrugicave të Lezhës dje, ajo sigurisht që mund të fajësohet nëse brenda 10 ditësh nuk bën identifikim e shkakut të problematikës.

Nga informacionet e marra prej grupeve të punës na rezulton se ditën e sotme gjendja e qytetit është krejt tjetër. Pra rrugët janë pa ujë dhe qarkullimi vijon normalisht.

Po atëherë pse reshjet e rrëmbyeshme e përmbytën Lezhën?

Përgjigjja është e thjeshtë: Lezha u përmbyt sepse sistemi i kullimit ishte i bllokuar. Nga punonjësit bashkiakë në terren deklarohet se diametri i pusetave është i vogël dhe kullimi kërkon kohë dhe më e rëndësishmja pusetat kanë qënë të bllokuara, pra të pa mirëmbajtura, të papastruara, çka është bërë shkak edhe për situatën e djeshme.

Burime të pakonfirmuara por të besueshme bëjnë me dije se Bashkia Lezhë nuk ka makineritë e specializuara në dispozicion për mirëmbajtjen dhe zhbllokimin e pusetave, dhe ka qënë vetë Kryebashkiaku Ndreu i cili ashtu siç ‘çoi peshë’ gjithë Ministrinë e Mbrojtjes për fikjen e zjarreve në Shëngjin, ka çuar peshë gjithë Bashkinë e Shkodrës që t’i vihet në ndihmë Lezhës me mjetet dhe pajisjet e nevojshme.

Ndërkohë në rrjetet sociale përmbytja është bërë “mollë e sherrit” midis Kryebashkiakut dhe përfaquesve të PD-së, të cilët, këta të fundit, nuk kanë përtuar të postojnë foto thumbuese me pamje nga përmbytja në lagje të ndryshme të qytetit.

Si kundërpërgjigje ndaj tyre, Ndreu i ka ri-publikuar këto foto duke u shprehur se përfaqësuesit demokratë kanë bërë një bllof të turpshëm duke postuar fotot e shkrepura në 2016, 2017 dhe duke i shitur në publik sikur të ishin të ditës së djeshme. Ky detaj mesa duket e ka irrituar paksa Kryebashkiakun, i cili nuk e pranon dot faktin që me të njëjtat foto kur përmbytej Lezha e tyre, të përdoren si provë për Lezhën e sotme.