Përfundon mbledhja e Këshillit të Bashkisë Lezhë, marrin dritën jeshile dy çështje madhore…

Nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik është zhvilluar ditën e sotme mbledhja e radhës e Këshillit të Bashkisë Lezhë.

Kjo mbledhje, ashtu si ajo pararendëse u transmetua LIVE në Facebook-un zyrtar të Këshillit të Bashkisë Lezhë.

Kryetari Rakaj që në hapje të mbledhjes ka kërkuar vëmendjen dhe korrektesen e këshillitarëve me procesin e votimit dhe zbatimin rigoroz të rregullores, kjo për shkak të densitetit të projekt-vendimeve dhe çështjeve në diskutim por edhe për shkak se Rakaj duket i vendosur dhe i prerë në bindjen e tij për të mos lëshuar aspak nga korrektesa dhe protokolli i punimeve të Këshillit edhe pse ato zhvillohen online.

Çështjet madhore në diskutim dhe në votim për ditën e sotme ishin ajo e Kryetarëve të Fshatrave dhe përfaqësive të lagjeve si dhe investimi madhor që do të kryhet në Baqel të Lezhës për ndërtimin e një fabrike me vlerë investimi deri në 14 miliardë lekë. (13 milionë dollarë).

Ndërtimi i kësaj fabrike do të sjellë hapjen e të paktën 200 vendeve të reja të punës për zonën në veçanti dhe për Lezhën në përgjithësi, u shpreh nënkryetari Pacaj, gjatë fjalës së tij në Këshill.

Pasi u shqyrtua se mbi territorin ku do të kryhet ky ndërtim/fabrikë nuk ka konflikte të pronës, nuk ka ndikim në ambjent apo të çfarëdo natyre tjetër që nuk është brenda kornizës ligjore, Kryetari Rakaj ka kaluar për votim ndërtimin e mega fabrikës së enëve të kuzhinës në Baqel të Lezhës.

Si gjithnjë, nuk munguan as ndërhyrjet sqaruese dhe qartësuese të këshilltarit Muça, përvoja e gjatë e të cilit mundëson një perspektivë më të zgjeruar mbi çështjet.

Ka qënë një mbledhje e gjatë dhe e ngarkuar kjo e sotmja, me plot 14 çështje në rend dite dhe relacione të hollësishme shpjeguese nga ana e nënkryetarit Pacaj në lidhje me çështje delikate siç janë mbrojtja e territorit të Bashkisë, furnizimi me ujë të pijshëm, i shpenzimeve, si dhe zbatimi i paketave ndihmëse.

Nuk mund të kalojë pa u përmendur fakti se Bashkia Lezhë ka ndryshuar hyrjen kryesore në godinën e saj duke e zhvendosur atë në të majtë, aty ku mëparë ishte hyrja e Qarkut Lezhë. Ndërsa hyrja kryesore në Bashkinë Lezhë do të shërbejë vetëm në raste të veçanta honorifike apo evente.

Lexoni më të detajuar çfarë kaloi në Këshill sot:

  • Projekt-Vendim “Për përdorimin e fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6% për periudhën 01-31 Korrik 2020”
  • Projekt-Vendim “Për miratimin e lagjeve në fshatra, zgjedhjen e anëtarëve të kryesisë dhe të kryetarëve të fshatrave në Bashkinë Lezhë”
  • Projekt-Vendim “Për rishikimin e zbatimit të buxhetit për vitin 2020”
  • Projekt-Vendim “Për ndryshimin e Vendimit nr 86, datë 25.06.2020, në pikën 1, shkronja B, ana ndërtimore dhe pika 3, për akordimin e ndihmës financiare për dëmin e shkaktuar nga rënia e zjarrit në banesën e shtetasit D. Gj. P., banor në fshatin Balldre, Njësia Administrative Balldre, Bashkia Lezhë”
  • Projekt-Vendim “Për miratimin e kërkesës së Bashkisë Lezhë së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor për akordimin e ndihmës financiare për dëmin e shkaktuar nga rënia e zjarrit në banesën e shtetases znj. K.T.V, banore në fshatin Gajush, Njësia Administrative Shënkoll, Bashkia Lezhë
  • Projekt-Vendim “Për miratimin e kërkesës së Bashkisë Lezhë së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor për akordimin e ndihmës financiare për dëmin e shkaktuar nga rënia e zjarrit në banesën e shtetasit z. T.M.C, banor në fshatin Torovicë, Njësia Administrative Balldre, Bashkia Lezhë
  • Projekt-Vendim “Për miratimin e kërkesës së Bashkisë Lezhë së bashku me dokumentacionin tekniko-ligjor për akordimin e ndihmës financiare për dëmin e shkaktuar nga rënia e zjarrit në banesën e shtetases znj. S.P.Gj., banore në fshatin Balldre, Njësia Administrative Balldre, Bashkia Lezhë
  • Analizë mbi masat e marra për kontrollin mbi territorin
  • Analizë mbi punën që është bërë nga administrata e bashkisë për zbatimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak
  • Informacion mbi realizimin e treguesve ekonomikë të ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime dhe masat e marra për furnizimin normal me ujë të pishëm të banorëve
  • Informacion mbi punën e bërë për përgatitjen e vitit të ri shkollor
  • Të ndryshme