Përfundon mbledhja e Këshillit të Bashkisë Lezhë, 5 pika në rend të ditës, largohet Vinçens Tuku

Ditën e sotme, e mërkurë me 29 korrik në ora 11:00, Kryetari Ernest Rakaj ka thirrur mbledhjen e radhës përmes mjeteve të komunikimit elektronik të Këshillit të Bashkisë Lezhë.

Risia e kësaj mbledhjeje ka qënë transmetimi LIVE në Facebook i punimeve të Këshillit, në hapje të së cilës Kryetari Rakaj ka falenderuar të gjithë Këshilltarët për korrektesën dhe gatishmërinë e tyre përgjatë gjithë kohës së pandemisë.

Kujtojmë lexuesin, se për shkak të numrit të madh të nismave ligjore të iniciuara nga Qeveria Shqiptare, të ngarkuara për zbatimin e tyre Njësitë e Qeverisjes Vendore, si rrjedhojë dhe në përgjigje të situatës së jashtëzakonshme të pandemisë, Këshilli Bashkiak ka kryer në disa raste edhe mbi 6 mbledhje të jashtëzakonshme në muaj përveç atyre të radhës të parashikuara me rregullore në normalitet të gjërave.

E gjitha kjo, me qëllim që në asnjë rast të mos bëhet shkak i vonesave në raport me pritshmëritë dhe domosdoshmëritë e qytetarëve.

Në përfundim të mbledhjes Z. Rakaj u ka kërkuar këshilltarëve të votojnë për miratimin e kërkesën nga Këshilli Bashkiak Lezhë drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për plotësimin e vakancës në Këshillin Bashkiak pas tërheqjes së këshilltarit Z. Vinçens Tuku.

Mbledhja e Këshillit ditën e sotme ka patur këtë rend dite:

1- Projekt-Vendim “Për përdorimin e fondit të kushtëzuar për bllok- ndihmën ekonomike deri në 6% për periudhën 01-30 Qershor 2020”.

2- Projekt-Vendim “Për një shtesë në vendimin nr.7, datë 28.01.2020 “Për miratimin e Listës së të Pastrehëve që përfitojnë subvencion të qirasë për vitin 2020.””

3- Projekt – Vendim “Për rishikimin e zbatimit të buxhetit për vitin 2020.”

4- Projekt-Vendim “Për miratimin e tavaneve të shpenzimeve buxhetore në nivel programi PBA-në 2021-2023”

5- Projekt-Vendim “Për një shtesë në vendimin nr. 198 datë 25.09.2017 të Këshillit Bashkiak Lezhë “Normat e harxhimit të karburanteve dhe mbajtjes në punë për mjetet e Bashkisë Lezhë.””

Çështjet e hequra nga rendi i ditës për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Bashkisë:

6- Analizë mbi masat e marra për kontrollin mbi territorin.

7- Analizë mbi punën që është bërë nga administrata e bashkisë për zbatimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak.

8- Informacion mbi realizimin e treguesëve ekonomikë të ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime dhe masat e marra për furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve.

9- Analizë mbi efektivitetin e përdorimit të aseteve në administrim të Bashkisë Lezhë.

10- Të ndryshme.