PD riorganizon strukturat! Ja kush u caktua koordinator për Lezhën…

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mobilizuar të gjitha strukturat e partisë për aksionin opozitar të verës, ndërsa ka bërë edhe disa ndryshime, sa i takon koordinatorëve të partisë.

Basha ka caktuar koordinator në Shkodër Gazmend Bardhin, i cili do të zëvendësojë Flamur Nokën, që do të zhvendoset si koordinator në Elbasan.

Në kuadër të aksionit opozitar, Basha ka vendosur të lërë pa pushime Partinë Demokratike.

E gjithë partia është vënë në lëvizje nga një urdhër i kryetarit Lulzim Basha, i cili kërkon që, deri në 31 gusht, një grup i posaçëm pune të monitorojë përmbushjen e disa detyrave organizative nga strukturat lokale.

“Partia do të përfundojë në mënyrë kapilare organizimin e strukturave të saj në të gjithë Shqipërinë.

Kryetari Basha ka caktuar afate të qarta për detyrat e caktuara. Psh, deri në datën 20 korrik degët duhet të bëjnë kalendarin e punës deri në 31 gusht, që është afati maksimal për kryerjen detyrave dhe monitorimin e tyre nga grupi i punës.

Ky grup pune përbëhet nga 24 koordinatorë, që mbulojnë 70 degët e Partisë Demokratike. Koordinatori ka për detyrë të ndjekë të gjithë procesin e përmbushjes së detyrave, sipas urdhrit të Bashës, dhe përgjigjet për veprimtarinë e tij përpara Kryetarit të Partisë.

Për të qenë sa më efektiv, ky grup ka në përbërje individë që nuk kanë konflikt interesi me degët, pra, nuk janë deputetë aty, apo nuk kanë qenë të deleguar në nivel qarku për organizimin e partisë dhe më pas të protestave.

Nga urdhri i Kryetarit të PD bie në sy porosia, që gjatë procesit të plotësimit të strukturave drejtuese të PD në çdo degë, të afrohen personat me kontribute historike në parti, duke e kombinuar me afrimin e grave dhe të rinjve”, thuhet në njoftimin e PD.

Koordinatori për Lezhën është caktuar ish-deputeti i Partisë Demokratike z. Flamur Hoxha, i cili ashtu si Agron Shehaj, është një biznesmen i suksesshëm i cili iu bashkua Partisë Demokratike.