PD Lezhë: “Prokuroria e ka harruar në sirtar dosjen me shkeljet e 30 qershorit!”

Me anë të një deklarate për mediat Znj. Alfrida Marku, sekretare e PD Lezhë, njëkohësisht edhe njohëse e mirë e së Drejtës Penale, për shkak të specializimit të saj në këtë fushë të juridiksionit, ka folur përpara mediave duke e rikthyer vëmendjen tek ajo që e quan “drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar”, pasi që nga koha e depozitimit të ankimimit për shkeljet ligjore flagrante të 30 Qershorit 2019, nga ana e Prokurorisë së Lezhës nuk është bërë asnjë e përpjekje për të çuar të drejtën në vend.

Lexojeni të plotë deklaratën e Partisë Demokratike Dega Lezhë:

Partia Demokratike dorëzoi sot ankimin kundër vendimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila po mbron paligjshmërinë e votimeve të 30 Qershorit të vitit 2019 për pushtetin lokal.

Pas pothuajse 1 viti Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, nuk ka pasur vullnetin të hetojë shkeljet e 30 Qershorit, nuk ka marrë apo analizuar asnjë provë, nuk janë sekuestruar materialet zgjedhore të Qendrave të Votimit të referuara në pjesën arsyetuese të kallëzimit. As PD Lezhë si kallezues nuk është thirrur për të deklaruar mbi pretendimet e saj, dhe në tejkalim të afateve proçedurale është vendosur mosfillimi i proçedimit penal.

Në ankimin e depozituar sot, ne kemi kërkuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë: 1. shfuqizimin e vendimit që mban datën 11.8.2019 të Prokurorisë “Për mosfillimin e proçedimit penal”, për të cilin jemi njoftuar rreth një vit më vonë më 18.06.2020, si dhe 2. detyrimin e prokurorisë për të regjistruar proçedimin penal dhe kryer një proçes hetimor të plotë dhe të gjithanshëm.

Ne besojme se Gjykata dhe Prokuroria, si dy institucione në themel të sistemit te drejtësisë, duhet dhe do të veprojnë të pavarura dhe të pa ndikuara nga çdo ndikim i padrejtë apo i paligjshëm.