“Pastrim pak, propagandë shumë”/ Alfrida Marku i drejtohet me video Bashkisë Lezhë

Për të mos lejuar asnjë keqinterpretim, asnjë nënkuptim, për të mos lënë asnjë hapësirë për hamëndesime të tjera përveç thelbit të çështjes, Znj. Alfrida Marku, ish-nënkryetare e Bashkisë Lezhë, dhe sekretare e PD Lezhë (pak kush i di më mirë se ajo si funksion Bashkia Lezhë, me pikat e forta e dobëta të saj.), për ta vënë pra, Bashkinë Lezhë përpara faktit me zë dhe figurë, kësaj here, përtej fjalëve, ajo ka publikuar një video.

Në videon e publikuar nga Znj. Marku në faqen e saj zyrtare shfaqen pamje nga bregdeti i Shëngjinit i tejmbushur me mbeturina.

E pyetur në lidhje me këtë reagim nga ana e saj, ajo shprehet se:

Në të vërtetë pastrimin e bregdetit Bashkia e Lezhë e ka bërë vetëm në fotot që publikon në rrjetet sociale, sepse pastrimin e vërtetë, atë fizik, në territor, ja ku e keni në video.

Absurditeti njerëzor mund të shkojë deri aty sa të çohen e të thonë se plehrat në video i kam shpërndarë unë vetë paraprakisht, me qëllim që pastaj t’i filmoj në video. Por unë mendoj se kësaj propagande i ka dalë boja, nuk e beson më askush, lezhjanët përveçse të bezdisur, u fyejnë edhe inteligjencën duke i ushqyer përditë me propagandë boshe.

E pyetur nëse ky është momenti i duhur për të sulmuar Bashkinë Lezhë me video, në një kohë kur kjo e fundit po punon intensivisht për imazhin turistik të qytetit ajo jep këtë përgjigje:

Nuk është sulm, por kërkese llogarie ndaj institucionit përgjegjës, në rastin konkret Bashkisë, për moskryerjen si duhet të detyrës për pastrimin e bregdetit në këtë fillim sezoni. Po përdoret nje propagandë e paarsyeshme, e dëmshme dhe po lihen pas dore shërbimet ndaj qytetarëve.

Bregdeti i Shëngjinit deri vjet ka qëne ndër më të frekuentuarit për shkak edhe te pastërtise dhe standarteve në rritje, dhe po ashtu duhet të jetë edhe këtë sezon, dhe në vijim.

Në videon e publikuar, duket qartë se është bërë një pastrim sa për sy e faqe në pjesën që shihet nga të gjithë dhe mjafton të zhvendosesh disa metra më tutje dhe përballesh me një pamje që më tepër sesa bregdet me plehra ngjan si plehra me bregdet.

Lezha është e bukur, dhe duhet të mbahet e tillë me punë të sinqertë e të ndershme, e jo me propagandë e sistemime sipërfaqësore. Duhet të keni parasysh diçka:

Duhet të themi të vërtetën për çdo rast, nuk duhet të ndalojmë asnjëherë së thëni të vërtetën, sepse nëse vdes e vërteta, vdes gjithçka. Imazhi i qytetit, turizmi, shërbimet, respekti, vdesin të gjitha këto, nëse vdes e vërteta.

Të promovosh bregdetin me një imazh të rremë, është shumëfish më e rëndë për qytetin sepse ngjan me atë shitësin që thotë e kam mallin e mirë dhe kur blerësi kthehet në shtëpi i del i skaduar. Është e rrezikshme, të thuash se në Shëngjin do të gjeni pastërti dhe pak metra përtej qendrës është e mbuluar nga plehrat.

Më vjen keq që nuk po punohet me përgjegjshmëri, sa për administratën dhe drejtuesit aktual nuk më bën përshtypje kjo sjellje, sepse kanë hyrë në ato zyra me një procedurë sipërfaqësore, dhe çdogjë që ata do të mund ndonjëherë të prodhojnë do të jetë vetëm sipërfaqësore.