“Operacioni Plazhet e Lira”/ Policia procedon Drejtorin e Taksave në Bashkinë Lezhë!

Është proceduar drejtori i Tatimeve Arben Ndoj dhe dy persona të tjerë P. GJ. dhe D.D. të cilët sipas policisë kishin zaptuar hapësirën publike para lokaleve të tyre, në mënyrë të kundërligjshme duke vendosur shezlongë dhe çadra pa kontratë përdorimi. Drejtori i Taksave dhe Tarifave në Bashkinë Lezhë u procedua pasi nuk kishte kryer kontroll duke shpërdoruar detyrën.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se sipas burimeve janë 100 subjekte me 30 mijë shezlonge të vendosur në mënyrë të paligjshme në listën e zezë si shkelës të ligjit në Sarandë, Velipojë, Tale dhe Durrës. Shezlonget janë vendosur nga biznese të pa licencuar që kanë shkelur kontratat e qirave me pushtetin lokal dhe nga ata që nuk japin kupon. Kujtojmë që dje u liruan disa hapësira publike në Ksamil.

Drejtori i Taksave dhe Tarifave Vendore Lezhë, Arben Ndoi

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit vijon operacionin “Plazh i lirë”, për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore.

Policia e Shtetit liron dhe vë në dispozicion të pushuesve rreth 3500 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga disa shtetas.

Në Durrës procedohen penalisht 7 shtetas nga të cilët:

-3 shtetas, pronarë të subjekteve tregtare për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Zënia e hapësirave publike”,

– 3 shtetas për veprën penale “Zënia e hapësirave publike”.

– Si dhe Drejtori i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Durrës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në Lezhë, janë proceduar penalisht tre shtetas, njëri prej tyre me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunimin me Task-Forcën e ngritur nga Prefekti i Qarkut Durrës dhe Policinë Bashkiake, në vijim të punës duke monitoruar, kontrolluar dhe goditur informalitetin, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F.Q., A.K. dhe G.D., të gjithë banues në Durrës, pasi nga kontrolli i ushtruar në lagjen nr. 13, Durrës, në plazhin publik, u konstatua se këta shtetas kryenin aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme, si dhe të papajisur me kasë fiskale.

Po në vijim të operacionit u proceduan penalisht edhe shtetasit: Sh.T., P.Gj., banues në Tiranë dhe D.I., banues në Shijak, pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se këta shtetas kishin zënë me çadra plazhi e shezlongë hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse.

Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin L.D., banues në Durrës, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë, Durrës, pasi nuk ka ushtruar kontroll ndaj aktivitetit të shtetasve të lartpërmendur.

Operacioni ka vijuar në Shëngjin, Lezhë në vijën bregdetare Tale.

Gjatë operacionit u proceduan penalisht dy shtetas P. GJ. dhe D.D., të cilët kishin zaptuar hapësirën publike para lokaleve të tyre, në mënyrë të kundërligjshme duke vendosur shezlongë dhe çadra pa kontratë përdorimi.

Po gjatë operacionit u procedua penalisht shtetasi A.N., me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, pasi nuk kishte kryer kontroll, duke shpërdoruar detyrën.

Materialet në ngarkim të shtetasve të proceduar i kaluan Prokurorive respektive për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe “Shpërdorimi detyrës.

Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin.