Një Samit i rëndësishëm do të mbahet në Lezhë, në atë rast inaugurohet Memoriali i Skënderbeut

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut në vendin tonë institucione të ndryshme po organizojnë aktivitet mjaft me vlerë duke nisur nga ato artistike deri tek ato me karakter shkencor.

Ky vit ka si qëllim gjithashtu dhe rehabilitimin dhe restaurimin e vendeve ku heroi ynë kombëtar la gjurmë pasi brezi i ri duhet ta mësojë historinë dhe ta prekë atë në këto objekte, duke parë dhe prekur nga afër atë çka heroi ynë ishte dhe la për vendin tonë.

Në kuadër të këtij viti mjaft të rëndësishëm ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2019 dha disa informacione dhe risi.

“Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut Ministria e Kulturës ka qenë në pararojë qoftë me aktivitete dhe me mirëmbajtjen dhe restaurimin e disa objekteve duke nisur nga muzeu i Kastriotëve, i Sinës, Dibër që solli në vëmendjen krahinën e Dibrës si destinacion i jashtëzakonshëm kulturor dhe turistik”, tha Kumbaro.

“Gjithashtu jemi në përfundim të kantierit të memorialit të Skënderbeut dhe kisha e Shën Nikollit në Lezhë që është krejtësisht e rehabilituar në një koncept të ri arkitekturor dhe që patjetër do jetë destinacion i ri turistik. Ne kemi parashikuar ta inaugurojmë në Samitin e dytë të Diasporës që do zhvillohet në 2 mars 2019, ku Lezha do jetë destinacion shumë i rëndësishëm i këtij samiti”.