“Ngjarja e shëmtuar!”/ Kupola e Kamzës zhvendoset në Komisariat!

Pas ngjarjes së shëmtuar pas përfundimit të ndeshjes mes Kamzës dhe Laçit, ku u dhunua arbitri i takimit Eldorjan Hamiti, ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Uniformat blu njoftojnë se kanë arrestuar presidentin e Kamzës, Naim Qarrin, si dhe drejtorin e shefin e klubit, por edhe një tifoz, të gjithë këta në flagrancë.

Bëhet me dije se janë shpallur edhe 4 shtetas të tjerë në kërkim, për veprën penale “goditje për shkak të detyrës. Më poshtë, njoftimi i plotë i Policisë.

Policia arreston në flagrancë 4 shtetas për ngjarjen e ndodhur në ndeshjen e futbollit Kamza – Laçi.

Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr 5, falë reagimit të shpejtë dhe në kohë bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasve:

– N.Q., President i Klubit Kamëz;

– A.M., Drejtor Sportiv i Klubit Kamëz;

– A.B., Shefi i Klubit Sportiv Kamëz;

– E.Gj., tifoz.

Gjithashtu nga verifikimet e bëra rezulton se si autorë të dyshuar për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit të ndeshjes, dyshojet se janë dhe shtetasit: B.Q., A.Q., A.Q. dhe K.Q., tifozë, të cilët janë shpallur në kërkim policor.

Arrestimi i 4 shtetasve si dhe shpallja në kërkim e 4 të tjerëve u bë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike”.

Më datë 03.03.2019, rreth orës 14.00 është zhvilluar ndeshja e futbollit Kamza – Laçi.

Këtë ndeshje Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë nuk e ka marrë përsipër, pasi nuk janë zbatuar detyrimet dhe përgjegjësitë sipas përcaktimeve të ligjit 79/2017 datë 27.04.2017 “Për Sportin”.

Megjithatë Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë për sigurimin e rendit e sigurisë publike jashtë ambienteve të stadiumit, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, hartoi plan masash.

Kjo ndeshje është marrë përsipër për sigurimin e nga SH.R.S.F. “Oktapus 1 Security”, të cilët kanë qenë në stadium me 12 efektiv të saj.

Në përfundim të kësaj ndeshje një punonjës i SH.R.S.F., i cili ishte në hyrjen kryesore të stadiumit hapi portën dhe kërkoj ndihmën e policisë, pasi disa tifozë kishin hyrë në fushë dhe kishin goditur arbitrin dhe punonjësit e SH.R.S.F-së.

Pas këtij njoftimi shërbimet e planizuara me shërbim sipas urdhrit të shërbimit, janë futur në ambientet e stadiumit, duke bërë të mundur marrjen në mbrojtje të gjyqtarëve dhe vendosjen e rendit e qetësisë, duke vazhduar me shoqërimin e personave të futur në fushë dhe ata të cilët kishin goditur gjyqtarin e ndeshjes.

Në lidhje me sqarim e kësaj ngjarje janë shoqëruar edhe 14 shtetas të tjerë.

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë shoqërimet si dhe veprimet hetimore për vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë personave përgjegjës.