Nesër fillon shkolla, Bashkia Lezhë poston fotot e asaj që po ndodh te gjimnazi i vjetër

Gjithçka është rrokakrisur. Me njerëzit që nuk i thonë 13 Shtator, por 44 Gusht, për shkak të tejzgjatjes së pazakontë të valës së të nxehtit, që tregon se stinët janë çmendur me këtë rokadë të pamundur.

Me Tokën e cila edhe dje e lëkundi Lezhën, si për të thënë se nuk i intereson fare axhenda e qënieve e gjallesave mbi të.

Me shumë nxënës që do të duhet të ambientohen në mjedise zëvendësuese, dhe do të ndjekin mësim në kushte pandemie, i shton akoma përmasen e mbrapshtë të gjërave.

Edhe pse me rrokakrisje duam të nënkuptojmë një rrotullim të krisur e të gjithsejtë të gjërave, shkolla duhet të fillojë, ingranazhi i sistemit punon vetëm duke u vënë në lëvizje, e kështu data e fillimit të vitit të ri shkollor, është një hap i tutshëm por i detyruar drejt normalitetit mu në mes të anormalitetit.

Për Bashkinë Lezhë ky vit i ri shkollor, edhe pse shkollën Gjergj Kastrioti nuk e gjeti të rindërtuar, ka patur një variant për të mos i lënë këta nxënës (mbi 600) në tymnajë didaktike.

Gjimnazi i vjetër, legjendari “Hydajet Lezha” do të dëgjojë përsëri atë gjallërimin e zërave të nxënësve brenda mureve të tij.

Bashkia Lezhë ka publikuar fotot nga procesi i punimeve me ritme intensive që po kryhen aty, për të ofruar kështu një zgjidhje alternative, të përkohshme.

Pra, nesër, nxënësit e shkollës Gjergj Kastrioti nuk do të rikthehen në ambjentet e shkollës së tyre, por do të zhvillojnë mësimin në ambjentet e godinës së vjetër të gjimnazit “Hydajet Lezha”.