Nëse po kërkon bojaxhi në Lezhë, e kemi gjetur një që e bën punën mirë…

Nikolini nuk pretendon të bëhet i famshëm, nuk kërkon ajfon 11 pro, as Bentley, as nuk i kalon paraditet drithëruese të Lezhës i zhytur në ndonjë vaskë jacuzzi, jo… jo…, Nikolini ashtu si shumë-e-shumë të tjerë bën një jetesë normale, ka një zanat, ka punuar për 15 vite (mos më shumë) në Greqi, i vjen dora mirë edhe për axhustime të tjera që shkojnë përtej artit të bojaxhiut.

Ai është i lumtur që ka një familje normale, fëmijët që rriten pa u munguar asgjë, dhe se fundjavat kryesisht i kalojnë sëbashku nëpër Lezhë.

Nikolini mjaftohet me punën që bën, edhe pse ai nuk zhytet në jacuzzi, por zhytet mëngësh, pantallonash e fytyre, çdo ditë me bojë.

Vitet e gjata, dhe kërkesat e rrepta të pronarëve e kanë mësuar Nikolinin të vlerësojë shumë dhe ta stërvisë syrin për të patur një sens estetike për punën që bën, ai ka mësuar gjithashtu që të jetë i fiksuar pas pastërtisë. Aq e vërtetë është kjo e fundit saqë ai vetë thotë: “shtëpia, puna, apo biznesin e tjetrit kur të përfundosh lyerjen duhet ta dorëzosh të pastër, ashtu siç e ke gjetur!”

Befasuese për ne ishte edhe fakti se Nikolini është familjarizuar tashmë edhe me Kodet e NgjyraveBenjamin Moore.

Benjamin Moore është një ndër famë-mëdhenjtë botëror sa i takon kombinacioneve dhe tonaliteteve të ngjyrave, për çdolloj ambienti, qoftë shtëpi, biznes, institucion, kënd, zyrë, etj,.

A është kjo një reklamë që ne po i bëjmë Nikolinit?

Sigurisht që po, kjo është një reklamë, dhe ne besojmë fort se është më mirë të çmojmë duart e një mjeshtri, apo të një punëtori, sesa të ndihmojmë një milioner të blejë një helikopter.

Po ndihmojmë një vajzë të vogël të ndjekë shkollën e të blejë libra. Po ndihmojmë një djalë të vogël të stërvitet për talentin e tij.

Po ndihmojmë një nënë dhe një baba të kenë mundësi të përballojnë një jetesë normale dhe të çojnë përpara familjen e tyre.

Shënim***: Përpara se të hidhesh në sulm me komente të tipit, “reklamë, reklamë”, mbaje veten, mbushu me frymë thellë, dhe na shkruaj diçka për biznesin apo punishten tënde, ka hapësirë edhe për ty, je i/e mirëpritur!