Nënkryetarja e Bashkisë: ” Lezhjanëve nuk mund t’u hapësh sfida përmes thashethemeve…”

Projekti për rrugën e Torovicës ka qënë kryefjala e ditëve të fundit, një ashpërsim tonesh hidh e prit është zhvilluar nga të dy krahët e politikës në Lezhë.

Pasi reagimit të deputetit Pjerin Ndreu i cili publikoi një dokument i cili ishte protokolluar vetëm katër ditë mëparë, u duk sikur Bashkia mezi po e priste këtë moment që ta ‘nxirrnin bllof’ pretendimin e deputetit.

Ka qënë nënkryetarja e Bashkisë Lezhë Alfrida Marku e cila ka saktësuar se janë jo një por plot 3 kërkesa dhe se pretenduesi i referohet vetëm njërit (znj. Alfrida Marku e ka shoqëruar tekstin e saj me dokumentet përkatëse!).

Në reagimin e saj, ajo shkruan ‘GËNJEN’, me shkronja kapitale, por në asnjë rast nuk përdor emrin e deputetit Ndreu edhe pse qartazi është pikërisht ai që nënkuptohet.

Ja reagimi i plotë i nënkryetares së Bashkisë:

Tani që ta mbyllim këtë historinë e thashethemeve tua politike.

GËNJEVE lezhjanët kur pretendove se nuk ka një projekt të Bashkisë Lezhë për rrugën e Torovicës.

Në fakt janë 3 projekte, shoqëruar me detajet teknike e preventivin, të paraqitura zyrtarisht pranë autoriteteve përgjegjëse të qeverisë, për infrastrukturën rrugore.

GËNJEVE lezhjanët kur pretendove se Bashkia ka kërkuar financimin e rrugës së Torovicës vetëm me datë 5.10.2018.

Bashkia Lezhë ka kërkuar financimin e rrugës së Torovicës, 3 herë zyrtarisht, me shkresat e datave 17.2.2016, 26.3.2017 dhe 05.10.2018.

Në diskutimet politike, ka mjaft vlerë të dihen disa gjëra:

Së pari, lezhjanët nuk mund të sfidohen me thashetheme. E kur vjen puna për politikë e vendimmarrje, përfaqësuesit i duan si veten, njerëz korrekt e të ndershëm.

Së dyti, duhen më shumë se 6 muaj në Lezhë që të flasësh për Lezhën.

Së treti, nuk mund të dish se çka ndodhur në Lezhë para 2017-ës, kur nuk dije as se ç’ndodh në Kamëz deri atëherë.

Së fundmi, çdo diskutim merr vlerë kur bazohet në argumenta e arsye, e jo në sajesa, thashetheme e më keq akoma në mungesë etike.