Nënkryetari i Bashkisë Lezhë zotohet për garantimin e 20% plazh publik!

Në një lidhje direkte për Report Tv gazetari Elvis Hila i ka drejtuar disa pyetje në lidhje me sezonin turistik Z. Ermal Pacaj, nënkryetar i Bashkisë Lezhë.

Në përgjigjen e tij Pacaj sqaroi ato që janë edhe çështjet më të rëndësishme në lidhje me këtë pragsezon që është pikësëpari garantimi i hapësirës publike 20% me ligj që i takon çdo qytetari.

Një problematikë jo e re kjo, e cila, nga viti në vit ka ardhur duke u ndërlikuar në disfavor të qytetarëve, pra, privatët kanë “zaptuar” pak nga pak duke lënë pak ose aspak hapësirë publike.

Pacaj e njeh mirë këtë realitet dhe në përgjigje të pyetjes së gazetares në studio ai shprehu bindjen e plotë se Bashkia Lezhë nuk do të çedojë në këtë aspekt. 20% i hapësirës publike në plazhe do të garantohet! Jo vetëm kjo, por edhe për ruajtjen e pastërtisë përgjatë gjithë sezonit Pacaj u shpreh se është nënkontraktuar personel enkas për monitorimin e pastërtisë.

Një tjetër shqetësim, i cili lidhet drejtpërdrejt me vjeljen e të ardhurave për buxhetin e Bashkisë është edhe nënshktrimi i kontratave me operatorët e shërbimit të cilët do të vendosen shezlongjet e tyre përgjatë vijë bregdetare.

Në lidhje me këtë çështje Pacaj u shpreh se mbeten gjithnjë në pritje të Aktit Normativ nga Qeveria Shqiptare në respekt të të cilit do të nënshkruhen pastaj termat e kontraktimit midis Bashkisë dhe operatorëve. Sidoqoftë, thekson Pacaj, nga ana e Bashkisë gjithçka do të jetë gati përpara 10 Qershorit.

Ndërkohë që Pacaj u përgjigjej pyetjeve të tjera në lidhje me atë se çfarë ofron Lezha, nuk mund të kalonte pa u vënë re mënyra sesi gazetarja në studio me aq shumë ëndje e përshkruante dhe e vështronte bregun e Shëngjinit nga ekrani, saqë do të kishte mjaftuar një shtysë fare e vogël që ajo ta braktiste studion e të nisej direkt për Lezhë. Ndiqeni vetë: